Studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës “pushtojnë” Zonën e Trajtimit të Mbetjeve
Ishte hera e parë për këtë brez studentësh të departamentit të Inxhinierisë së Mjedisit (master) që bënin praktikën mësimore në një zonë të vërtetë ku trajtohen mbetje.
Gjatë leksionit në terren, që zgjati përreth 3 orë aq sa ishin dhe orët e tyre të mësimit, ata panë nga afër të gjithë veprat e një prej projekteve më të mëdha në Ballkan për menxhimin e integruar të mbetjeve. Kapanoni i selektimit të mbetjeve, landfillet për depozitimin e tipologjive të ndryshme të mbetjeve, impianti i trajtimit të ujërave, impianti i kaptimit të biogazit, ishin disa nga objektet për të cilat studentët kishin marrë vetëm njohuri në teori në auditore.

“Unë kam qenë dhe më përpara dhe e di gjendjen si ka qenë. Shikoj një transformim rrënjësor. Më pëlqen fakti që është menduar për seleketimin e mbetjeve që në fillim për të çuar mbetjet për riciklim, ndarja dhe landfillet e veçanta për mbetjet inerte,për mbetjet urbane dhe mbi të gjitha kjo në fund ishte surpriza që është krijuar, një mjedis për t’i dhënë një pamje ekologjike zonës”, tha pedagogia e departamentit të Mjedisit në Universitetin Politeknik prof. Entela Çobani.
Ndërsa studentët u shprehën, se kjo ishte hera e parë që ata shikonin se si transportoheshin mbetjet, ndarjen e tyre apo dhe impiantet që janë ndërtuar.

“Ishte hera e parë që vijmë këtu dhe ishte ashtu siç na e kanë përshkruar në leksione dhe seminare”, tha Kejdi Ramlikaj studente master për Mjedis në fakultetin Politeknik.
Kjo orë leksoni do të pasojë me orë te tjera mësimi në terren, për të cilat shoqëria IEBV në bazë të marrëveshjes që ka me këtë universitet do të vijojë të realizojë në ambientet e Sharrës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



