Studimi/ Këto janë zonat me nëntokën më të pasur në Shqipëri
Shqipëria renditet ndër vendet që zotërojnë lëndë të para kritike për industrinë europiane, sipas një analize të Fondacionit Europian të Trajnimeve (ETF), pjesë e Bashkimit Europian.
Raporti vlerëson kapacitetet e vendeve për sigurimin e burimeve të rëndësishme minerare, që janë thelbësore për industrinë e gjelbër, teknologjinë dhe tranzicionin energjetik të BE-së.
Sipas publikimit, Shqipëria zotëron disa prej mineraleve kyçe, përfshirë kobaltin, bakrin, feldspatin dhe nikelin, të cilët kanë rëndësi strategjike për ekonominë europiane.
Kobalti – burim për teknologjinë e baterive
Në studim përmendet kobalti, që gjendet në zonat minerare të Pogradecit. Ky material është i domosdoshëm për bateritë me litium, të përdorura në automjetet elektrike dhe pajisjet “smart”, duke e bërë atë një nga elementët më të kërkuar në tregjet globale.
Bakri – thelbësor për energjinë dhe ndërtimin
Bakri, me rezerva të njohura në Lezhë dhe Kukës, është një tjetër mineral me rëndësi të lartë strategjike. Ai përdoret gjerësisht në sektorin e energjinë, ndërtimin dhe infrastrukturën elektrike, duke luajtur rol kyç në zhvillimet industriale dhe energjetike.
Feldspati dhe nikeli – potencial për industri të reja
Në Shkodër është evidentuar prania e feldspatit, material i domosdoshëm për industrinë e qeramikës, porcelanit dhe bojërave.
Ndërkohë, nikeli gjendet në Kukës, Devoll, Çervenakë, Përrenjas dhe Librazhd, me depozita të klasifikuara si të klasit C dhe një depozitë të klasit B në Devoll.
Kërkesa pritet të rritet ndjeshëm në BE
Sipas Ligjit të BE-së për Lëndët e Para Kritike 2024, kërkesa për këto materiale do të rritet gjashtëfish deri në vitin 2030 dhe shtatëfish deri në 2050.
Për disa elementë, si litiumi, kërkesa pritet të rritet edhe 12 herë deri në 2030 dhe 21 herë deri në 2050, për shkak të përdorimit të gjerë në bateri dhe teknologji të qëndrueshme.
Rëndësia strategjike për Europën
Lëndët e para kritike përbëjnë bazën e zinxhirit industrial të BE-së, duke qenë thelbësore për konkurrueshmërinë, produktivitetin dhe sigurinë energjetike.
Ato janë gjithashtu pjesë e pandashme e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital, si dhe të sektorëve të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore në Bashkimin Europian.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



