Takimi famoz i Arubës konfirmohet nga SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar për herë të parë ekzistencën e takimit të shumëpërfolur në ishullin Aruba, një episod që prej vitesh është konsideruar si një nga më misteriozët në lidhje me rrjetet kriminale shqiptare dhe investimet e dyshimta në vend.
Sipas dosjes hetimore, disa nga personat nën hetim, përfshirë Artur Shehun, Adrian Ramën dhe Elton Memetin, kanë zhvilluar takime të përsëritura jashtë Shqipërisë, në vende si Spanja dhe Aruba. Këto takime, sipas SPAK, nuk kanë qenë thjesht kontakte rutinë, por pjesë e një aktiviteti të strukturuar që lidhet me menaxhimin e interesave financiare dhe kriminale.
Një element i rëndësishëm që del në pah nga hetimet është komunikimi i këtyre personave me funksionarë të lartë shtetërorë. Edhe pse identiteti i tyre nuk bëhet publik në dokumente, prokuroria thekson se këto kontakte dyshohet se kanë luajtur rol në lehtësimin e proceseve të investimit, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.
Sipas SPAK, skema e ndjekur nga personat nën hetim ka qenë e mirëorganizuar dhe e ndarë në disa faza. Fillimisht, ata angazhoheshin në sigurimin dhe zhvillimin e pronave, duke përdorur forma të ndryshme juridike, përfshirë edhe kontrata dhurimi që shërbenin si mbulim për qëllimet reale. Më pas, përmes lidhjeve dhe ndikimit të tyre, synohej sigurimi i lejeve të ndërtimit për projekte të ndryshme.
“Nga tërësia e veprimeve noteriale dhe komunikimeve të kryera rezulton se personat nën hetim janë përfshirë fillimisht në zhvillimin e pronës dhe më pas në veprime juridike të maskuara, me qëllim përfitimin e lejeve të ndërtimit përmes lidhjeve të tyre,” thuhet në dosje.
Megjithatë, në disa raste, këto plane janë penguar nga ndërhyrjet e autoriteteve. Një prej rasteve lidhet me sekuestrimin e një pjese prone të përfituar përmes dhurimit, çka ka bllokuar procesin e mëtejshëm të ndërtimit. Po ashtu, tentativa për të revokuar kontrata të mëparshme nuk ka rezultuar e suksesshme.
Pavarësisht këtyre pengesave, hetimet tregojnë se aktiviteti i grupit ka vijuar. Në dosje përmendet edhe ndjekja e procedurave për projekte konkrete ndërtimi, përfshirë atë të njohur si “Shkolla e Biçikletave”, për të cilin, sipas komunikimeve të zbardhura, personat e përfshirë prisnin miratimin e planeve zhvillimore.
Konfirmimi i këtij takimi nga SPAK përforcon dyshimet e ngritura më herët nga investigimet ndërkombëtare. Gazetari italian Nello Trocchia, në një nga analizat e tij, i kushton një vëmendje të veçantë takimit të Arubës, duke e cilësuar atë si një moment kyç në ndërthurjen e interesave mes krimit të organizuar, biznesit dhe politikës shqiptare.
Duke iu referuar dokumenteve hetimore nga autoritetet italiane, belge dhe gjermane, Trocchia shkruan se në fund të janarit 2019, Aruba u kthye në një qendër takimi për disa nga figurat kryesore të një rrjeti të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe investime në pasuri të paluajtshme.
Sipas tij, një nga personazhet qendrore të këtij rrjeti është Artur Shehu, të cilin ai e përshkruan si një figurë kyçe që ka evoluar nga aktivitetet e hershme në vitet ’90 deri në menaxhimin e investimeve multimilionëshe në Shqipërinë e sotme.
Zbulimet e fundit hedhin dritë mbi një model të ndërlikuar bashkëpunimi, ku aktivitetet kriminale ndërthuren me ekonominë formale përmes investimeve në sektorë strategjikë, duke ngritur shqetësime serioze për ndikimin e krimit të organizuar në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



