Të arrestuarit përfitonin truall në Himarë dhe Dhërmi dhe më pas e shisnin
Si funksiononte skema e tjetërsimit të pronave në bregdet
Prokuroria e Vlorës ka firmosur urdhërarrestet për disa persona në Vlorë, pas një hetimi që zbuloi skema si falsifikoheshin dokumentet e pronave në zonën bregdetare, kryesisht të Himarës
Në kuadër të operacionit të koduar “Himara”, Policia ka ekzekutuar 7 masa sigurie, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas që nuk u gjetën gjatë operacionit. Një nda të ndaluarit, mësohet se është edhe Irakli Gjiçali, zëvendëskryetar i Bashkisë së Himarës deri më datë 17 nëntor kur u shkarkua, për të cilin Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim dalje jashtë shtetit”. Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, së bashku me ata që janë shpallur në kërkim, në periudha të ndryshme kohore, duke bashkëpunuar ndërmjet tyre, dyshohen se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, vulave, stampave e formularëve, kanë tjetërsuar dhe përfituar sipërfaqe të konsiderueshme toke, në bregdetin e Himarës dhe Dhërmiut, të cilën më pas e kanë kaluar në pronësi të tyre, ose shitur te persona të tjerë, duke përfituar shuma të konsiderueshme të hollash.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar me shkresën nr.3296 prot., datë 10.08.2021 të Bashkisë Himarë, ka regjistruar procedimin penal nr.1341/2021 për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë, “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë. Në fazën e hetimit paraprak të këtij procedimi penal, ka rezultuar se prej shtetasve në hetim janë falsifikuar AMPT-të për qytetin e Himarës, fshatrat Dhërmi e Gjilekë, të cilat në zbatim të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008. “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” të ndryshuar, si dhe VKM-së nr.338/2015, duhet të miratoheshin me vendim të Këshillit Bashkiak Himarë. Konkretisht, rezulton se janë falsifikuar 12 akte të Marrjes së Tokës në Pronësi. Këto AMPT të falsifikuara, të riprodhuara si origjinale, pasi përgatiteshin plan rilevimet prej Edmond Marko, punonjës në DPZHT, pranë Bashkisë Himarë, dërgoheshin me shkresa të falsifikuara, si praktika të Bashkisë Himarë, për regjistrim në ASHK, Drejtoria Vlorë. Sikurse ka rezultuar nga hetimi, prej këtyre pasurive, janë regjistruar pranë ASHK-së, Drejtoria Vlorë dhe janë pajisur me vërtetim hipotekor pasuria me sipërfaqe prej 800 m² e ndodhur në Z.K.1952 Himarë në emër të A.K. me nr.718 dt.07.09.2021 në ASHK-së, Drejtoria Vlorë dhe pasuria me sipërfaqe prej 1292 m² e ndodhur në Z.K.1952 Himarë e pajisur me vërtetim hipotekor në emër të A.T, me nr.244 dt.07.04.2021 në ASHK-së, Drejtoria Vlorë
TE DYSHUARIT
Nga të dhënat e deritanishme, rezulton që prej shtetasve nën hetim dyshohen të jenë konsumuar elementë të figurave të veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë, “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë, të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 190/2 të Kodit Penal. Policia e Vlorës dje ka ekzekutuar 7 masa sigurimi, nga 10 që ishin firmosur. “Shërbimet e Policisë Gjyqësore kanë ekzekutuar masat e sigurimit për shtetasit e dyshuar, më datë 10.12.2021, përjashto masat për shtetasin M.S., ‘Arrest ne burg’, shtetasin A.K., ‘Detyrim paraqitje’ dhe shtetasin K.Dh., ‘Detyrim paraqitje’. Gjithashtu, po në funksion të këtij procedimi penal nr.1341 të vitit 2021 dhe mbi bazën e kërkesës së prokurorit, me vendimin nr.505, datë 10.12.2021, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit pasuror të sekuestros për pasuritë e mëposhtme: Pasuria e regjistruar në nenin hipotekor nr.718, datë 07.08.2021 Z.K.1952 Himarë, sipërfaqe prej 800 m² regjistruar në emër të A.K.; Pasuria e regjistruar në nene hipotekore nr.244, datë 07.04.2021 Z.K.1952, Himarë, sipërfaqe prej 1292 m² regjistruar në emër të A.K.”, tha zyrtarisht Prokuroria e Vlorës. Ndërkohë, saktësoi se hetimet po vijojnë ende për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë.
TE NDALUAR
1. Edmond Marko, 41 vjeç, banues në Himarë, “Arrest me burg”
2. Pandeli Prifti, 42 vjeç, banues në Himarë, “Arrest me burg”
3. Zaho Bollano, 58 vjeç, banues në Himarë, “Arrest me burg”
4. Aleks Bifsha, 64 vjeç, banues në Vlorë, “Arrest me burg”
5. Elton Marko, 51 vjeç, banues në Himarë, “Arrest me burg”
6. Vasillaq Strakosha, 67 vjeç, banues në Vlorë, “Arrest me burg”
7. Irakli Gjiçali, 68 vjeç, banues në Himarë, “Detyrim paraqitje”, “Ndalim dalje jashtë shtetit”
TAPITE E FALSIFIKUARA
1. AMTP për pasuri me sipërfaqe prej 4.400 m² e ndodhur në Z.K.1481 Dhërmi, në emër të V.S.
2. AMTP për pasurinë me sipërfaqe prej 1800 m² e ndodhur në Z.K.1481 Dhërmi, në emër të V.S.
3. AMTP për pasurinë me sipërfaqe prej 1400 m² e ndodhur në Z.K.1481 Dhërmi, në emër të V.S.
4. AMTP për pasuri me sipërfaqe prej 1.080 m² e ndodhur në Z.K.1739 Gjilek, në emër të M.S.
5. AMTP për pasurinë me sipërfaqe prej 2.000 m² e ndodhur në Z.K.1481 Dhërmi, në emër të E.M.
6. AMTP për pasurinë me sipërfaqe 2171 m² e ndodhur në Z.K.1952 Himarë, në emër të P.P.
7. AMTP për pasurinë me sipërfaqe 3150 m² e ndodhur në Z.K. 1952 Himarë, në emër të Z.B.
8. AMTP për pasurinë me sipërfaqe prej 800 m² e ndodhur në Z.K.1952 Himarë, në emër të A.T.
9. AMTP për pasurinë me sipërfaqe prej 2000 m² e ndodhur në Z.K.1952 Himarë, në emër të K.DH.
10. AMTP për pasurinë me sipërfaqe prej 687 m² e ndodhur në Z.K.1481 Dhërmi, në emër të A.B.
11. AMTP për pasurinë me sipërfaqe prej 2600 m² e ndodhur në Z.K.1481 Dhërmi, në emër të A.B.
12. AMTP për pasurinë me sipërfaqe prej 1292 m² e ndodhur në Z.K.11952 Himarë në emër të A.T.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



