E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Të shtëna me armë nga kantieri i Bashkim Ulajt në Rrjoll
Lajme

Të shtëna me armë nga kantieri i Bashkim Ulajt në Rrjoll

Një episod alarmant është regjistruar këtë të premte në Rrjoll, zonë ku prej kohësh vijojnë përplasjet mes banorëve dhe interesave për zhvillim ndërtimor.

Sipas banorëve, teksa ata po protestonin në mënyrë paqësore në pjesën e sipërme të zonës, nga drejtimi i kantierit janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Ata e konsiderojnë këtë si një përpjekje për frikësim dhe presion ndaj komunitetit, duke e cilësuar situatën si një përshkallëzim të rrezikshëm.

Në raportimet dhe reagimet e banorëve përmendet edhe emri i Bashkim Ulajt, në lidhje me interesat për ndërtim në zonë, ndonëse nuk ka një reagim zyrtar nga ana e tij për incidentin.

Ndërkohë, prania e Policisë së Shtetit në vendngjarje nuk ka qetësuar situatën. Sipas banorëve, forcat e rendit janë mjaftuar me konstatimin se bëhej fjalë për qitje me armë, pa dhënë detaje mbi autorët, ndërsa pretendohet se ka pasur edhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Banorët e zonës shprehen se ndihen të pambrojtur dhe nën presion të vazhdueshëm, duke theksuar se përveç rrezikut për pronat e tyre, po përballen edhe me një klimë frikësimi.

Ata deklarojnë se nuk do të tërhiqen nga kundërshtimi i tyre dhe paralajmërojnë vijimin e protestave, pavarësisht situatës së tensionuar.

Ndërkohë, është kërkuar nga autoritetet zbardhja e plotë e ngjarjes dhe identifikimi i personave përgjegjës për të shtënat, në mënyrë që të garantohet siguria në zonë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.