Të shtënat me armë në Maminas, breshëri plumbash drejt kompleksit luksoz të Eugert Lazajt, biznesmenit që u vetëvra dy muaj më parë
Breshëri plumbash janë shkrehur në orët e para të mëngjesit të sotëm në hyrjen e kompleksit luksoz “Adorions Palace” në Maminas. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në orën 04.05 të mëngjesit të sotëm, ndërsa nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Kompleksi luksoz është në pronësi të biznesmenit Eugert Lazaj, i cili u vetëvra me armë zjarri në vilën e tij në Farkë, në 30 korrik 2020.
“Më datë 10.10.2020, rreth orës 04:05, në autostradën Tiranë-Durrës, në Maminas, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të derës së jashtme të një objekti, në pronësi të shtetasit L.Z, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në ambientet e Policisë Durrës janë shoqëruar disa shtetas të dyshuar për këtë ngjarje. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen autorit/ve”, njofton Policia.
KUSH ISHTE EUGERT LAZAJ dhe SI NDODHI NGJARJA:
Më 30 korrik 2020, biznesmeni 37-vjeçar, Eugert Lazaj, është gjetur pa jetë në vilën e tij private, brenda kompleksit “Rolling Hills” në Farkë.
Pranë tij u gjet një armë zjarri që sipas policisë ai e ka përdorur për t’i dhënë fund jetës. Megjithatë ende nuk dihet ekzaktësisht nëse është vetëvrarë apo është vrarë nga vrasës profesionistë.
Ndërkaq burime nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit-Tiranë, kanë bërë publike për mediat disa dokumente sipas së cilave pronari i resort “Adorions Palace” në Maminas, Eugert Lazaj, kishte “llogari” ligjore-administrative e gjyqësore me policinë shqiptare.
Sipas informacionit zyrtar, biznesmeni ishte i lindur e rritur në Shqipëri, por Lazaj e ka lënë shtetësinë shqiptare qysh më 26.11.2004, në moshën 21-vjeçare, për të jetuar jashtë saj me shtetësi tjetër.
Sipas dosjes, pas shumë vitesh ai është rikthyer për të bërë biznes me resort turistik e për të jetuar përgjithnjë në Shqipëri, por Policia e Shtetit, nuk e ka pajisur me leje të përhershme, por vetëm më leje të përkohëshme “Tipi D/AE- Veprimtari ekonomike”.
Ndërkohë, pak ditë më parë u zbulua nga grupi i hetimit i ngritur nga Prokuroria se arma me të cilën ai ka vrarë veten është e njëjta me të cilën më 4 tetor të 2018-ës, komando Merviol Bilo ekzekutoi Fabiol Gaxhën, në ish-Bllok.p
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



