Tenderat/ “ANK” e Milot-Balldren, 60 miliardë lekë para publike në 4 vitet e fundit
Kompania “ANK” duhet të presë edhe disa kohë për të marrë statusin e “koncensionarit” për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, një projekt me shifra shumë të fryra, 15 milionë euro për kilometër, në një total prej 255 milionë euro për 17 kilometra në terren fushor.
Presidenti Ilir Meta refuzoi të nënshkruante në mesin e kësaj jave kontratën koncensionare ndërmjet Ministrisë së Transporteve dhe “ANK”, e miratuar në Korrik të këtij viti nga shumica e Edi Ramës në Parlament.
Meta konstatoi një seri shkeljesh në procedurat e ndjekura për miratimin e këtij koncensioni. Por, gjithësesi, shumica e majtë pritet që të miratojë sërish të njëjtën kontratë në një votim të dytë, i cili përjashton ri-kontrollin presidencial të ligjit.
Koncensioni me vlerë 255 milionë euro, nga të cilat 213 milionë euro vlera e projektit dhe pjesa tjetër TVSH, ishte goditja më e madhe financiare që pritet të realizojë kompania “ANK”, e themeluar nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ndue Kola dhe që aktualisht drejtohet nga vëllai i tij, Agim Kola.
Gjithësesi, edhe gjatë 4 viteve të fundit, “ANK” rezulton të ketë arkëtuar shuma të mëdha parash nga tenderat e institucioneve publike.
Në bazë të të dhënave të publikuara në portalin “spendingdata.al” rezulton se, për periudhën 2015-2019, kompania “ANK” ka realizuar transaksione me agjencitë shtetërore në një total prej rreth 60 miliarë lekë të vjetra (rreth 40 milionë euro).
Kompania e ndërtimit “ANK”, e emërtuar në bazë të inicialeve të themeluesve të saj “Agim dhe Ndue Kola”, rezulton se ka fituar tendera në institucione të ndryshme, ku më kryesorët rezultojnë të jenë Autoriteti Rrugor Shqiptar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve. Nuk mbetet pas edhe Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj.
Të dhënat e “spendingdata.al” për transaksionet e thesarit që janë kryer në 4 vitet e fundit nga disa institucione shtetërore drejt “ANK” janë të sakta/Boldnews.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




