Nuk ka festë për ta, banorët e Rrjollit sërish në protestë
Prej më shumë se një muaji e gjysmë, banorët e zonës së Rrjollit vazhdojnë të dalin në protestë kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz nga kompania Blue Gorgo. Kundërshtimi i tyre nuk është zbehur, përkundrazi, tubimet janë kthyer në një aktivitet të përditshëm për komunitetin që pretendon se projekti rrezikon pronat dhe mjedisin e zonës.
Edhe këtë të shtunë, që përkon me festën e Ditës së Verës, protestës iu bashkuan jo vetëm banorët vendas, por edhe qytetarë të ardhur nga zona të tjera të vendit, të cilët shprehën mbështetje për kauzën e tyre.
Kur protestuesit iu afruan kantierit ku po kryhen punimet, forcat e policisë ndërhynë duke krijuar një kordon sigurie për të penguar afrimin e tyre në zonën e ndërtimit. Situata u tensionua për disa momente, ndërsa pati edhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Gjatë ndërhyrjes, disa prej banorëve u shoqëruan në komisariat.
Banorët pretendojnë se gjatë ndërhyrjes policore janë ushtruar edhe veprime të dhunshme ndaj tyre. Sipas tyre, institucionet po mbrojnë interesat e kompanisë që po ndërton resortin dhe jo shqetësimet e komunitetit lokal.
Megjithatë, pavarësisht tensioneve dhe ndërhyrjes së policisë, banorët deklarojnë se nuk do të tërhiqen nga protesta. Ata theksojnë se do të vazhdojnë të mblidhen çdo ditë deri në momentin kur punimet për resortin të ndalen, duke argumentuar se projekti rrezikon ekuilibrin mjedisor dhe cenon pronat e tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



