Tensione në Vlorë, Valon Ademi bllokon punonjësit e Pacollit
Sërish tensione, ‘2A Group’ vendos kamionë te dera e aeroportit
Situata në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është tensionuar sërish mëngjesin e kësaj të marte, duke rikthyer përplasjen mes palëve në një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Sipas informacioneve nga terreni, hyrja kryesore e kantierit është bllokuar nga kamionë të kompanisë 2A Group, të cilët janë vendosur në portë duke penguar hyrjen e nënkontraktorëve të kompanisë Mabco. Ky veprim ka ndalur përkohësisht vijimin e punimeve dhe ka krijuar një situatë të tensionuar mes grupeve të përfshira.
Në momentet e para të incidentit, disa nga nënkontraktorët e Mabco-s kanë tentuar të futen me forcë në ambientet e kantierit, duke arritur përkohësisht të depërtojnë brenda. Megjithatë, hyrja është mbyllur sërish dhe aktualisht vijon të mbahet e bllokuar, ndërsa tensionet mbeten të larta dhe situata e paqartë.
Akuza të forta nga VIA: “Nuk ishte rifillim punimesh, por sulm i organizuar”
Pas zhvillimeve në terren, Shoqëria Koncesionare “Vlora International Airport – VIA” ka reaguar publikisht, duke hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj kompanisë Mabco dhe biznesmenit Behgjet Pacolli.
Në deklaratën zyrtare, VIA e cilëson situatën si një akt të qëllimshëm për të krijuar konflikt dhe për të dëmtuar imazhin e projektit. Sipas saj, pretendimet për rikthim në kantier nuk kanë qenë reale, por një përpjekje për të prodhuar tension dhe përplasje.
“Ngjarja e sotme nuk përfaqëson një rifillim normal të punimeve, por një akt presioni, sulmi dhe vetëgjyqësie,” thuhet në reagim, ku theksohet se në kantier janë paraqitur persona të paautorizuar, pa dokumentacion teknik dhe pa koordinim institucional.
“Mabco nuk ka tagër në projekt”
Shoqëria koncesionare sqaron se ajo është e vetmja palë që mban të drejtat për ndërtimin dhe operimin e aeroportit, ndërsa thekson se Mabco nuk ka asnjë autoritet për të ndërhyrë në administrimin e projektit.
Sipas VIA-s, çdo përpjekje për të hyrë në kantier apo për të ushtruar presion mbi stafin dhe procesin e punës është në kundërshtim me ligjin dhe kontratën koncesionare.
Deklarata vijon me akuza të forta, duke pretenduar se Mabco nuk ka përmbushur detyrimet e saj në kohën kur ishte e angazhuar në projekt dhe se tani po tenton të rikthehet përmes presionit dhe krijimit të situatave konfliktuale.
Thirrje për ndërhyrje të institucioneve
Në reagimin e saj, VIA u bën thirrje institucioneve ligjzbatuese që të ndërhyjnë për të dokumentuar çdo shkelje dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë në kantier.
Shoqëria koncesionare thekson se do të mbrojë me çdo mjet ligjor integritetin e projektit dhe interesin publik, duke nënvizuar se Aeroporti i Vlorës është një investim strategjik që duhet të vijojë mbi bazën e ligjit dhe jo përmes presioneve apo përplasjeve.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar dhe pritet që zhvillimet e mëtejshme të përcaktojnë fatin e vijimit të punimeve në këtë projekt të rëndësishëm për turizmin dhe ekonominë e vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



