Terrori i karteleve, gjenden 48 qese me pjesë trupash në Meksikë
Autoritetet meksikane njoftuan të enjten një zbulim makabër. 48 qese që përmbanin pjesë trupash njerëzorë u gjetën në një vendgrumbullim sekret pranë Guadalajarës.
Hetimi vazhdon, tha zyra e prokurorit, pa dhënë ende një shifër të saktë të viktimave. “Ne duhet të kryejmë analizën mjeko-ligjore për të përcaktuar saktësisht numrin e viktimave që përmbajnë qeset,” deklaroi Blanca Trujillo, prokurore e shtetit, gjatë një konference për shtyp.
Varri i fshehtë u zbulua katër javë më parë nga një kolektiv që kërkon zhdukurit, i njohur si Guerreros Buscadores (“Kërkuesit Luftues”), në një parcelë të braktisur në Zapopan, periferi e Guadalajarës. Pas zbulimit makabër, autoritetet bashkëpunuan me këtë grup për të rikuperuar dhe identifikuar mbetjet.
Rasti i fundit shtohet në listën e gjatë të ngjarjeve të ngjashme në shtetin e Jalisco, i shkatërruar nga aktiviteti i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco (CJNG), i cili u shpall “organizatë terroriste e huaj” nga administrata e SHBA-së në fillim të këtij viti.
Sipas Uashingtonit, CJNG-ja, së bashku me Kartelin Sinaloa, janë trafikantët kryesorë të fentanilit, një opioid sintetik që ka shkaktuar dhjetëra mijëra vdekje nga mbidoza në SHBA.
Meksika ka regjistruar më shumë se 127,000 zhdukje që nga viti 2006, kur qeveria federale nisi “luftën” kundër karteleve, duke vendosur ushtrinë brenda vendit, qasje kjo e kritikuar gjerësisht. Vetëm në qershor, ekspertët mjeko-ligjorë identifikuan mbetjet e 34 personave të gjetur në Zapopan.
Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 15,900 persona janë zhdukur dhe shpallur të zhdukur vetëm në Jalisco, duke e bërë këtë rajon një nga më të prekshmit nga dhuna e kartelëve në Meksikë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



