Tha se babai i Messit ka vdekur, prezantuesja argjentinase jep dorëheqjen
Florencia Penja kërkon falje me lot në sy
Një incident i rëndë mediatik në Argjentinë ka përfunduar me dorëheqjen e një prezantueseje televizive, pasi ajo transmetoi një informacion të pasaktë lidhur me familjen e yllit të futbollit Lionel Messi. Ngjarja ka nxitur reagime të forta në opinionin publik dhe ka rikthyer në qendër të debatit përgjegjësinë e mediave në raportimin e lajmeve sensitive.
Gjatë një emisioni live në “Luzu TV”, moderatorja Florencia Penja deklaroi se babai i futbollistit, Horge Messi, kishte ndërruar jetë. Lajmi u përhap me shpejtësi, duke shkaktuar konfuzion dhe shqetësim, sidomos në një moment kur Lionel Messi ishte i angazhuar me përfaqësuesen e Argjentinës në Kupën e Botës, ku spikati me një paraqitje të shkëlqyer.
Pak kohë më vonë, familja Messi reagoi zyrtarisht duke përgënjeshtruar lajmin. Në deklaratën e tyre u bë e ditur se Horge Messi është nën kujdes mjekësor dhe gjendja e tij shëndetësore po shkon drejt përmirësimit. Ata kërkuan mirëkuptim dhe respekt për privatësinë, duke theksuar se vetëm informacionet e publikuara nga burime zyrtare duhet të konsiderohen të sakta.
Familja gjithashtu apeloi ndaj mediave që të tregojnë kujdes maksimal në trajtimin e lajmeve të ndjeshme, duke shmangur spekulimet dhe publikimin e informacioneve të pakonfirmuara që mund të shkaktojnë panik dhe dëme të panevojshme.
Pas reagimeve të shumta dhe kritikave publike, Florencia Penja doli me një deklaratë faljeje, ku pranoi gabimin dhe sqaroi se kishte transmetuar informacionin e marrë në kohë reale përmes kufjeve gjatë emisionit. Ajo mori përgjegjësinë për incidentin dhe njoftoi largimin e saj nga televizioni.
Edhe drejtuesit e “Luzu TV” reaguan, duke e cilësuar ngjarjen si të papranueshme dhe duke bërë të ditur ndërprerjen e bashkëpunimit me personat përgjegjës për përhapjen e lajmit të rremë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



