E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“The Guardian” artikull për Fatos Nanon: Dominoi mes trazirave dhe tranzicionit
Bota

“The Guardian” artikull për Fatos Nanon: Dominoi mes trazirave dhe tranzicionit

Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” i ka kushtuar një artikull të gjatë ish-kryeministrit shqiptar Fatos Nano, vetëm pak javë pas ndarjes së tij nga jeta. Analisti Gabriel Partos e përshkruan Nanon si njërën nga dy figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare në vitet e trazuara të pas rënies së komunizmit, krahas rivalit të tij historik, Sali Berisha.

“Qoftë në qeveri apo në burg, Fatos Nano ishte një nga figurat që dominoi politikën shqiptare për 15 vite”, shkruan “The Guardian”, duke nënvizuar kontrastin mes katër emërimeve të tij si kryeministër dhe vetëm katër viteve efektive në detyrë.

Lideri që drejtoi tranzicionin mes kaosit

Artikulli vlerëson rolin e Nanos në vitin 1991, kur ai udhëhoqi Shqipërinë gjatë tranzicionit të vështirë nga regjimi stalinist drejt ekonomisë së tregut. Si kryetar i Partisë Socialiste deri në vitin 2005, Nano u mbështet në pozicionin e tij të fortë brenda partisë për të ruajtur ndikimin politik.

Pas fitores së demokratëve në vitin 1992, Nano u burgos me akuza për korrupsion — akuza që ai i ka mohuar gjithmonë. Në burg, ai u shndërrua në figurë martire për socialistët dhe vazhdoi të drejtonte partinë.

Rikthimi i vitit 1997 dhe rrëzimi i Berishës

Sipas “The Guardian”, mundësia e dytë e Nanos erdhi në trazirat e vitit 1997, të shkaktuara nga rënia e skemave piramidale. Socialistët fituan zgjedhjet e parakohshme, Berisha dha dorëheqjen, dhe Nano u rikthye si kryeministër, duke e zhvendosur vendin drejt një sistemi më parlamentar.

Gjatë sundimit të PS 1997–2005, vendi njohu stabilizim ekonomik dhe qetësim politik, megjithatë artikulli thekson se korrupsioni, arroganca e qeverisë dhe përçarjet e brendshme çuan në humbjen e zgjedhjeve të 2005-s.

Fund i qetë i karrierës politike

“The Guardian” thekson se në vitin 2005 Nano dha një kontribut të rëndësishëm duke mundësuar transferimin paqësor të pushtetit te demokratët dhe duke u tërhequr nga drejtimi i PS-së, hap që i hapi rrugë ngjitjes së Edi Ramës.

Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për postin e Presidentit në vitin 2007, Nano jetoi mes Tiranës dhe Vjenës, larg skenës politike.

Ai la pas bashkëshorten, Xhoanën, dy fëmijë nga martesa e parë dhe një djalë të adoptuar.

Artikulli mbyllet me fjalinë: “Fatos Nano, politikan shqiptar, i lindur më 16 shtator 1952; vdiq më 31 tetor 2025.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.