The New York Times: Ku i ka gjetur dhëndri i Trump paratë që do investojë në Shqipëri?!

Media amerikane: Në projektin e dhëndrit të Trump i përfshirë drejtpërdrejt kryeministri shqiptar, u shfrytëzua administrata “Trump”…

Kompania e Jared Kushner, “Affinity Partners”, ka investuar gati 1.2 miliardë dollarë që kur u krijua në vitin 2021. Pothuajse të gjitha ato para kanë ardhur nga burime të huaja, duke ngritur mjaft dyshime.

Sipas “The New York Times”, dhëndri i Donald Trump, i cili ka plane të investojë dhe në vendin tonë, nuk ka asnjë lekë vetë, por mbahet në këmbë nga të huajt. Sipas një dosjeje në Komisionin e Letrave me Vlerë, 99 për qind e fondeve të investitorëve të “Affinity” kanë ardhur nga burime të huaja.

“Affinity”, me vlerë 3 miliardë dollarë, ka marrë fonde nga Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe manjatë të koorporatave si Terry Gou, i cili themeloi gjigantin elektronik Foxconn.

Ku i ka gjetur dhëndri i Trump paratë që do investojë

Jared Kushner

Këto janë të gjitha vendet me të cilat Kushner ka punuar kur vjehrri i tij, Donald Trump, ishte në Shtëpinë e Bardhë. Kushner shërbeu si i dërguari kryesor i Trump në Lindjen e Mesme dhe ishte një figurë kryesore në ndërmjetësimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, të cilat normalizuan marrëdhëniet midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, apo mes Izraelit dhe Bahreinit.

Fondi i Kushner ka investuar në një kompani izraelite të dhënies me qira dhe financimit të makinave, një faqe interneti të pasurive të paluajtshme me bazë në Dubai dhe një kompani të ushqimit të shpejtë të mbështetur nga Abu Dhabi që operon në më shumë se 1000 restorante në Brazil, raportoi “Times”.

Kushner njoftoi muajin e kaluar dy nga marrëveshjet e tij më të mëdha deri më tani: një kompleks hotelesh dhe godinash prej 500 milionë dollarësh në Serbi dhe dy komplekse luksoze në Shqipëri. Asnjëra nga këto marrëveshje nuk mund të kishte ndodhur nëse Kushner nuk do të ishte në administratën Trump. Këto projekte po realizohen falë marrëdhënieve të ndërtuara pjesërisht gjatë administratës Trump dhe përfshijnë drejtpërdrejt presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Shqipërisë, me të cilët z. Kushner është takuar”, shkruan media amerikane.

Sipas shkrimit, gjatë mandatit presidencial të Trump, Kushner ka të ngjarë të ketë fituar qindra miliona dollarë. Këto fitime ishin gjithashtu të diskutueshme, veçanërisht për shkak të marrëveshjeve të tij të biznesit me vende të tilla si Arabia Saudite dhe Katari, ndërsa takohej me ta në cilësinë e zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë.

Edhe pse Kushner u specializua në Lindjen e Mesme gjatë qendrimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, ai është kritikuar për qendrimin e tij ndaj Palestinës. Që kur shpërtheu lufta e Izraelit në Gaza, Marrëveshja e Abrahamit është kritikuar për injorimin e palestinezëve.

Kohët e fundit, Kushner i tha një auditori të Universitetit të Harvardit se ai mendonte se bregdeti i plazhit të Gazës ishte “shumë i vlefshëm”, duke mbrojtur në thelb spastrimin etnik të Izraelit për të ndërtuar atje. Sipas “Times”, nëse ai vazhdon në këtë drejtim, mund t’i duhet të përballet me protesta më të drejtpërdrejta, si ato në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, në një ngjarje të Lidhjes Anti-Shpifje muajin e kaluar.

Publikuar nga Publik Media