“Tirana ka vajza të jashtëzakonshme”, nisin hetimet për ish-kryeministrin norvegjez
Autoritetet norvegjeze kanë hapur një procedurë hetimore ndaj ish-kryeministrit Thorbjørn Jagland, i cili po verifikohet për dyshime korrupsioni të lidhura me kontaktet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar më parë për krime seksuale.
Jagland drejtoi qeverinë e Norvegjisë në periudhën 1996–1997. Më vonë ai mbajti poste të rëndësishme ndërkombëtare, duke shërbyer si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në 2019, si edhe në krye të Komitetit Norvegjez të Nobelit gjatë viteve 2009–2015.
Agjencia norvegjeze kundër korrupsionit, Økokrim, bëri të ditur të enjten se i është drejtuar Ministrisë së Jashtme me kërkesë për heqjen e imunitetit diplomatik që Jagland gëzon si ish-zyrtar ndërkombëtar. Drejtuesi i Økokrim, Pal Lønseth, sqaroi se hetimet do të përqendrohen në verifikimin nëse ish-kryeministri ka përfituar dhurata apo favore të papërshtatshme në lidhje me funksionet e tij publike.
Emri i Jagland shfaqet në disa dokumente të publikuara së fundmi nga autoritetet amerikane, të cilat lidhen me pasurinë dhe rrjetin e kontakteve të Jeffrey Epstein. Në një prej emaileve të majit 2012, Jagland i shkruante financierit amerikan duke përmendur një vizitë në Tiranë, ku sipas tij kishte takuar “vajza të jashtëzakonshme”. Ndërsa në një komunikim tjetër të janarit 2013, ai fliste për plane të mundshme për të vizituar ishullin privat të Epstein në Karaibe së bashku me familjen, duke përdorur një gjuhë që më pas është interpretuar si e papërshtatshme.
Ish-kryeministri norvegjez reagoi publikisht përmes një interviste për gazetën VG, ku theksoi se formulimet në email ishin “zhargon i sikletshëm” dhe se mund të keqkuptoheshin jashtë kontekstit. Ai mohoi të ketë qëndruar ndonjëherë në pronat e Epstein pa praninë e bashkëshortes dhe deklaroi se nuk e kishte vizituar kurrë ishullin privat të financierit.
Avokati i tij mbrojtës, Anders Brosveet, konfirmoi se të gjitha materialet dhe informacionet e kërkuara do t’u vihen në dispozicion hetuesve. Sipas tij, ekipi ligjor mbetet i bindur se procesi do të përfundojë në favor të klientit të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



