Trafikonin sirianët drejt BE-së për 300 euro me makina me qira, goditet banda në Sarandë
Katër të rinj janë arrestuar nga policia në Sarandë për trafik emigrantësh nga kufiri i gjelbër me Greqinë drejt vendeve të BE-së duke përdorur Shqipërinë si trampolinë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Kranea” u arrestuan; E. S.,19 vjeç, K. R., 20 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe K. M., 23 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u sekuestruan dy automjete të marra me qira në Tiranë, 6 aparate celulare dhe një shumë parash.
Të rinjtë, sipas policisë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin marrë në Konispol, në afërsi të kufirit të gjelbër me Greqinë, 6 sirianë që kishin hyrë në mënyrë të parregullt në vendin tonë, me qëllim transportimin e tyre në drejtim të Tiranës, kundrejt pagesës 300 euro, me destinacion final vendet e BE-së.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



