Tragjedia në Postribë, nëna 24-vjeçare mbante në krahë foshnjën
Zbardhen detaje rrëqethëse nga ngjarja e rëndë me 3 viktima
Detaje të reja dhe tronditëse janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që ndodhi në fshatin Domen, në njësinë administrative Postribë të Shkodrës, ku një nënë e re dhe dy fëmijët e saj të vegjël humbën jetën si pasojë e një zjarri shkatërrues në banesë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se trupat e viktimave janë gjetur të karbonizuar shumë pranë njëri-tjetrit, çka përforcon dyshimet se në momentet e fundit, 24-vjeçarja ka tentuar me çdo kusht të shpëtojë fëmijët e saj. Foshnja vetëm 1 vjeç është gjetur në krahët e nënës, ndërsa fëmija tjetër ndodhej pranë tyre.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se zjarri ka shkatërruar pothuajse gjithçka brenda banesës. Ekspertët kanë mundur të identifikojnë vetëm mbetjet metalike të një shtrati, ndërsa është sekuestruar edhe një bombol e vogël gazi, e dyshuar si një nga elementët kyç të ngjarjes.
Jashtë banesës janë gjetur sendet personale dhe çantat me të cilat familja kishte mbërritur në këtë shtëpi të vjetër, ku kishin shkuar për ta sistemuar. Të gjitha provat materiale janë dërguar për ekspertizë të specializuar në Tiranë, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të zjarrit.
Në dëshminë e tij, bashkëshorti i viktimës ka deklaruar se familja kishte marrë me vete edhe një sasi të vogël benzine për punime pastrimi. Ai ka sqaruar se ishte larguar për pak minuta për të blerë disa sende, ndërkohë që gjatë mungesës së tij, banesa u përfshi nga flakët.
Hetimet paraprake sugjerojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar gjatë përpjekjes për ndezjen e bombolës së gazit për gatim, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e një rrjedhjeje gazi që mund të ketë sjellë shpërthimin dhe përhapjen e menjëhershme të flakëve. Një tjetër pistë që po verifikohet është nëse fëmijët kanë qenë në gjumë në momentin kur ka nisur zjarri.
Një rol të rëndësishëm në përmasat tragjike të ngjarjes duket se ka luajtur edhe izolimi i banesës. E ndodhur larg zonave të banuara dhe në terren të vështirë, ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të emergjencës ka qenë pothuajse e pamundur, ndërsa flakët kanë përparuar pa u vënë re në kohë.
Familja Çelaj jetonte prej vitesh në Gjermani dhe kishte ardhur në Shqipëri për pushime. Vizita në banesën e vjetër në Domen, që synonte vetëm pastrim dhe qëndrim të shkurtër, u kthye në një tragjedi të thellë që ka prekur opinionin publik.
Autoritetet vijojnë hetimet dhe janë në pritje të përgjigjeve përfundimtare nga ekspertiza, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



