Tre ditë pa asnjë shenjë minatori i bllokuar në Bulqizë
Edhe pse kanë kaluar 3 ditë nga bllokimi i 61-vjeçarit Muharrem Plaku në minierën e Bulqizës, ende nuk ka asnjë të dhënë për fatin e tij.

Grupet e Autoritetit Kombëtar të Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera po vijojnë operacion e kërkim-shpëtimit të asistuar dhe nga minatorët e firmës.
Aktualisht janë nxjerrë nga nëntoka 300 m3 material, por nuk është gjetur ende asnjë shenjë e 61-vjeçarit.
Rrapush Tola, Drejtor i AKSEM deklaroi përmes një prononcimi për News 24 se po vijon puna për nxjerrjen e 61-vjeçarit dhe se janë shumë afër gjetjes së tij. Sipas tij situata është tepër e vështirë pasi ka rrjedhje të mineralit, çka e vështirëson kërkimin.
“Vazhdon puna për gjetjen e trupit të minatorit. Situata është e vështirë pasi ka rrjedhje nga mineralet. Jemi më afër drejt gjetjes së tij. Ne punojmë me 3 turne. Situata vazhdon hap pas hapi.
Është 450 metra nga hyrja e galerisë, një zonë e vjetër dhe gjatë kohës që ne punojmë mund të shembet. Punojnë rreth 4 veta në frontet e punës pasi nuk ke mundësinë të punosh me më shumë njerëz pasi fronti është i vogël”- tha Tola.
Kujtojmë se minatori Muharrem Plaku, u bllokua brenda minierës në Bulqizë nga rënia aksidentale e një masivi minerali në galerinë ku po punonte. Ndërkohë që nuk dihet ende nëse ai është gjallë apo nuk ka mundur t’i mbijetojë aksidentit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



