Tre kandidatët për kryepolicin e ri, vendimi në dorën e Ramës
TIRANË – Gara për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka hyrë në fazën finale, me tre emra që kryesojnë listën: Tonin Vocaj, Lorenc Panganika dhe Skënder Hitaj.
Sipas burimeve, lista e kandidatëve më të vlerësuar i është dorëzuar kryeministrit nga ministri i Brendshëm, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret brenda pak ditësh.
Në procesin konkurrues morën pjesë 14 kandidatë, të cilët iu nënshtruan filtrave ligjorë dhe një faze intervistimi nga komisioni përkatës. Nga pikëzimi paraprak, Tonin Vocaj rezulton kandidati më i vlerësuar, i ndjekur nga Lorenc Panganika, ndërsa në treshe renditet edhe Skënder Hitaj.
Vendimi final i takon kryeministrit, i cili do të zgjedhë drejtuesin e ri të policisë në një moment delikat për institucionin, pas largimit të Ilir Prodës dhe mes presionit për reformim të brendshëm.
Drejtori i ri do të përballet me sfida të forta, që lidhen me ristrukturimin e policisë dhe goditjen e ndikimit të krimit të organizuar në strukturat e sigurisë, në një kohë kur besueshmëria e institucionit mbetet në fokus publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



