Tregtarët e Vlorës sfidojnë Bashkinë: Pa treg të ri, s’ka largim!
Situata mes tregtarëve në Vlorë dhe autoriteteve vendore është përshkallëzuar, pasi shitësit kanë dalë hapur kundër urdhrit për t’u larguar nga hapësirat ku ushtrojnë aktivitetin prej vitesh. Ata shprehen të vendosur se nuk do të pranojnë asnjë zhvendosje, për sa kohë nuk u ofrohet një zgjidhje reale dhe afatgjatë.
Në prononcime për mediat, përfaqësues të tregtarëve theksojnë se çdo tentativë për largim, pa ndërtimin paraprak të një tregu të ri funksional, është e papranueshme. Sipas tyre, problemi nuk është vetë ideja e një tregu të ri, por mungesa e kushteve dhe mënyra e imponimit të vendimit.
Kërkesa kryesore mbetet ndërtimi i një tregu të mbuluar, që të përmbushë standardet bazë higjieno-sanitare, me ujë të rrjedhshëm, ambiente të përshtatshme dhe tualete funksionale. Tregtarët shprehen se nuk mund të pranojnë zgjidhje provizore apo zhvendosje në trotuare.
“Ne nuk kërkojmë lëmoshë, por një treg të denjë. Të mbuluar dhe me kushte normale, jo të na nxjerrin në rrugë,” u shpreh një prej tyre për Syri Tv, duke e cilësuar situatën aktuale si të papranueshme.
Sipas tregtarëve, zhvendosja e tyre në hapësira të improvizuara do të dëmtonte rëndë imazhin e Vlorës, veçanërisht në një qytet që synon të prezantohet si destinacion turistik. Ata vënë në pikëpyetje mënyrën se si Bashkia po e menaxhon situatën dhe mungesën e dialogut me komunitetin e prekur.
“Askush nuk ka ardhur të na pyesë apo të bisedojë me ne. Nuk e dimë kush e merr këtë vendim dhe mbi çfarë baze. Na duket si një urdhër i ardhur nga lart, pa asnjë konsultim,” u shpreh përfaqësuesi i tregtarëve.
Qëndrimi i tyre është i qartë dhe i palëkundur: nuk do të ketë asnjë largim nga tregu aktual pa u ndërtuar më parë një treg i ri, i plotë dhe funksional. Ndërsa shprehen të hapur për zhvillim dhe ndryshim, tregtarët kërkojnë zgjidhje dinjitoze dhe të qëndrueshme, jo masa të përkohshme që, sipas tyre, vetëm sa do ta përkeqësonin situatën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



