E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
TRI MREKULLITË E HAZRETI BERISHA
Publik News

TRI MREKULLITË E HAZRETI BERISHA

Nju Jork, viti 2127 pas Krishtit. Është tetor, Dita e Falenderimeve. Prej ca kohësh kjo festë në SHBA dhe gjithë botën nuk kremtohet më në nëntor, por në tetor, në ditëlindjen e Hazretit. Në një faltore të Manhatanit mijëra besimtarë po ndjekin meshën e shenjtë, pasi kanë agjëruar për 40 ditë me rradhë. Sekretari i parë i faltores flet gjithë përdëllim për jetën e profeti: “Dikur atë e thërrisnin Zoti Berisha. Pas mrekullive të njëpasnjëshme filluan ta thërrasin shkurt Zoti. Zoti ynë – vazhdon predikimi – nuk e dinte se ishte i zgjedhuri. Madje as kur në vitin 1990, në atë vend të vogël të quajtur Shqipëri zbriti engjëlli Mikail e i tha se do bëhej i pari i vendit. Në fillim Zoti ynë e mori për të dërguar të Ramiz Alisë. Por shpejt e ndjeu vetë se shpirti i shenjtë qe ulur mbi të…madje i qe mbushur mendja se ishte njeriu më i ndershëm që kish jetuar ndonjëherë mbi këtë botë të lodhur”.

Turma në faltore ra në gjunjë dhe filloi t’i këndojë hosana Zotit të saj. Kur mbaruan, predikuesi vazhdoi të tregojë mrekullitë e profetit. “Zoti ynë Berisha filloi të besonte përnjëmend se ishte i vetmi i ndershëm i globit dhe se çdo të molepsur nga djalli, o do ta kthente në udhë të mbarë , ose do ta shfaroste një herë e mirë. Dhe kështu betejën e parë mesia ynë e nisi kundër komunizmit (që në fakt kishte rënë). Hoqi nga puna gjithë komunistët që nuk ishin në Partinë Demokratike, por kjo nuk ishte ndonjë punë në lartësinë e një profeti. Atëhere vuri në jetë premtimin e pambajtur nga Zoti i mëparshëm: i dha tokën e premtuar popullit të tij. Pa luftë e pa para, gati një milion njerëz u dyndën nga veriu në tokat e tiranasve, durrsakëve, lezhjanëve, shkodranëve e deri lushnjarëve. Po ky popull mohues nuk qe edhe aq mirënjohës ndaj Zotit. Ata besonin se e zunë me forcat e tyre mallin e botës. Dhe Zoti ynë tha: “A thua po të mos ishte vullneti im ju do ta kishit zaptuar tokën e premtuar?” Mirëpo populli sërisht nuk bindej pa parë një mrekulli. U mendua zoti ynë dhe u kujtua se dikur Krishti e kishte kthyer ujin në verë. Por kjo qe shumë e thjeshtë. Këtë edhe Sudja e bënte. Duhej një mrekulli më e madhe! Një mrekulli që ta shihte e gjithë bota. Aaamiiin! Dhe dita erdhi! Në vitin 4 të erës Berisha (1996 pas Krishtit) shqiptarët shkuan të votojnë. Ca votuan për pushtetin e ca për opozitën…por në darkë, një puhizë e lehtë fryu dhe mrekullia ndodhi. Aaaleluuuja! Votat në kuti ishin kther të gjitha për PD-në. Nga veriu në jug, nga lindja në perëndim shqiptarët panë me sytë e tyre mrekullinë e parë.

Aaaaleluuujaaa! Por një mrekulli nuk mjaftonte për Zotin tonë. Në vitin e pestë të erës së tij paratë e shqiptarëve avulluan pa nam e nishan. I madh e i vogël u ngrit për ta shkulur nga kolltuku i presidentit Zotin tonë duke u betuar se vetëm një mrekulli mund t’a sillte prap në pushtet. A u dorëzua Berisha ynë? Jo! Pasi shuajti komunizmin, ai , i vetmi i ndershëm i botës, iu turr kapitalizmit, si e keqja më e madhe. Këtu ndodhi edhe mrekullia e dytë! Ai popull që mezi e shkuli në 1997-ën, që e pati para syve për 8 vjet me rradhë në opozitë, e votoi përsëri në 2005-ën.

Kjo lloj mrekullie nuk mbahej mend të kishte ndodhur që nga Eksodi i Madh. I bindur se kjo ishte shenjë hyjnore, ai mprehu shpatën për t’i këputur kokën çdo të prapi e të mallkuari. Gërmo e gërmo, Zoti ynë zbuloi se vendin e qeveriste e keqja më e madhe që mund të ketë shpikur Satanai: MAFIA! Herë ditën e herë natën engjëjt zbrisnin nga qielli dhe e lajmëronin se Pons Pilati kishte hyrë në trupin e Presidentit të Republikës, Mark Avdia ishte bërë Fehmi Avdia dhe drejtonte Gjykatën Kushtetuese. Më pas shpirti i Don Korleones pushtoi kryetarin e KQZ-së, ai i Al Kapones –Prokurorin e përgjithshëm.

Pa folur se Padrinon, kryetarin e parë të opozitës e kalbi në burg si hajdut ndërsa për Edvin Vetminë lajmëroi popullin se rrethohet prej një tufe me serial killer. Kaq sa për të kuptuar sesi portat e ferrit u hapën dhe ushtirë më të zeza të Djallit hynë në çdo skutë të politikës, administratës, biznesit ….përveç në shpirtin e Zotit tonë Berisha!

Siç ka qenë parathënë nga Shën Kozmai, “do të dalë një shejtan me veshët mbi çati…” që në fakt ishte televizori. Aty për aty Ynëzot e kuptoi se mafia e vërtetë ishte ky shejtan me veshët mbi çati..E luftoi e luftoi, por mafian e priste këtu e ajo hop, i mbinte atje. Atëherë ndërtoi një arkë druri të madhe, vuri në të nga një çift kafshësh, përmbyti dynjanë dhe erdhi vërdallë derisa toka u shfaq sërisht. Njëlloj si Nuhu dikur.”

Në faltore nuk pipëtinte as miza. Besimtarët kishin mbetur të ngrirë e gojëhapur nga bëmat e profetit Zot Berisha. Një vajzë e re, me ikonën e Berishës në duar pyeti me një zë të mekur nga emocionet: “po mrekullia e tretë?” “Mrekullia e tretë është se Zoti Berisha vazhdon të jetë gjallë sot e kësaj dite. Ai po vete 200 vjeç e vazhdon të qeverisë Shqipërinë, ku nuk banon më askush përveç tij. Siç e shihni, gjyshërit tanë që lindën atje ai mbathën me kohë e me vakt. Si mundet që një njeri të jetojë aq gjatë-do të pyesni ju. Mjekët thonë se ai nuk vdes nga frika se mos i marrin pushtetin…”

P.s. shkruar në vitin 2009 në revistën ‘Hosteni’

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.