E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Trimërohet’ Lamallari dhe paralajmëron shoferët e mjeteve luksoze
Lajme

‘Trimërohet’ Lamallari dhe paralajmëron shoferët e mjeteve luksoze

“Do ndëshkoheni, s’ka mbiemri, pozicioni apo makina që keni”

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar ashpër ndaj fenomenit të parkimeve të gabuara në zonat urbane, duke e cilësuar atë si një ndër shkeljet më problematike të bashkëjetesës qytetare.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Lamallari bëri të ditur se Policia e Shtetit ka nisur një fushatë të intensifikuar kontrollesh dhe ndëshkimesh ndaj drejtuesve të mjeteve që zënë hapësirat publike në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, parkimet e gabuara janë ndër shqetësimet më të shpeshta që qytetarët adresojnë pranë tij.

“Një nga ankesat më të shumta që kam marrë në adresën time elektronike apo përmes telefonit lidhet pikërisht me parkimet e gabuara në lagje dhe rrugë, të cilat krijojnë vështirësi reale për komunitetin dhe përdoruesit e tjerë të rrugës,” u shpreh ministri.

Ai theksoi se kjo sjellje përbën një mungesë respekti ndaj rregullave dhe ndaj qytetarëve të tjerë, duke paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë tolerim për shkelësit, pavarësisht statusit apo pozicionit të tyre.

“Sjellje të tilla janë aspak civile dhe shpërfillëse ndaj normave ligjore. Policia e Shtetit nuk do të bëjë asnjë diferencim në zbatimin e ligjit. Nuk ka rëndësi mbiemri, pozicioni apo marka e makinës — të gjithë janë të barabartë para ligjit,” theksoi Lamallari.

Në mbështetje të këtij mesazhi, ministri publikoi edhe pamje nga aksionet e fundit në terren, ku forcat e rendit kanë vendosur masa administrative dhe gjoba ndaj drejtuesve që kanë bllokuar trotuaret, hyrjet e banesave apo hapësirat e përbashkëta.

Autoritetet bëjnë thirrje për më shumë ndërgjegjësim dhe respektim të rregullave të qarkullimit, duke theksuar se vetëm përmes zbatimit të ligjit dhe përgjegjshmërisë qytetare mund të përmirësohet cilësia e jetesës në qytete.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.