Trump nuk heq dorë: Ju pëlqen apo jo, do ta marrim Groenlandën
Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer me forcë në vëmendje çështjen e Groenlandës, duke deklaruar hapur se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura ta marrin kontrollin e këtij territori, në një formë apo në një tjetër. Deklaratat e tij u bënë gjatë një prononcimi për mediat, teksa u pyet drejtpërdrejt për të ardhmen e Groenlandës dhe për mundësinë e një marrëveshjeje financiare me Danimarkën.
Trump shmangu konkretizimin e shifrave, duke theksuar se aktualisht nuk po diskuton për para, por duke lënë të hapur mundësinë që kjo çështje të trajtohet në një moment tjetër. Ai nënvizoi se për SHBA-në Groenlanda përbën një interes strategjik të pazëvendësueshëm, sidomos në kontekstin e rivalitetit global me Rusinë dhe Kinën.
Sipas tij, nëse Uashingtoni nuk ndërhyn, ekziston rreziku që Groenlanda të përfundojë nën influencën e Moskës ose Pekinit, një skenar që, sipas Trump, SHBA nuk mund ta lejojë. Ai la të kuptohet se preferenca e tij mbetet një marrëveshje paqësore, por paralajmëroi se në mungesë të saj, administrata amerikane është e gatshme të veprojë edhe në mënyra më të ashpra.
Këto deklarata vijnë në një moment kur Trump ka forcuar ndjeshëm retorikën e tij në politikën e jashtme, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit që përfshijnë operacione ushtarake amerikane dhe rritje të tensioneve në disa rajone strategjike. Groenlanda, për shkak të pozicionit të saj gjeopolitik dhe burimeve natyrore, shihet gjithnjë e më shumë si një pikë kyçe në garën globale për influencë.
Nga ana tjetër, reagimi europian nuk ka munguar. Bashkimi Europian ka dalë hapur kundër deklaratave të Trump, duke theksuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve janë parime themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk mund të vihen në diskutim përmes presionit apo kërcënimeve.
Përplasja verbale mbi Groenlandën pritet të thellojë më tej tensionet mes SHBA-së dhe aleatëve europianë, duke hapur një tjetër front debati në një skenë ndërkombëtare tashmë të mbushur me rivalitete dhe pasiguri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



