Turizmi “elitar” i Durrësit mes pushtetit të plehrave dhe harresës
Ndërkohë që Bashkia e Durrësit vijon të promovojë vijën bregdetare si një destinacion turistik të standardeve të larta, situata reale në terren paraqet një kontrast të fortë me këtë narrativë. Në shumë zona të frekuentuara, prania e mbetjeve urbane është bërë shqetësuese: kazanë të tejmbushur ose të munguar, mbeturina të shpërndara në rrugë, shishe dhe kanaçe të hedhura pa kriter, si dhe qese plastike të grumbulluara pranë ambienteve të banimit dhe hapësirave publike.

Një nga zonat më problematike është ajo ku janë ndërtuar mbi 15 pallate shumëkatëshe, që strehojnë si banorë vendas ashtu edhe të huaj. Pavarësisht densitetit të lartë të popullsisë dhe zhvillimit urban, mungesa e shërbimeve bazë mbetet evidente dhe e vazhdueshme.
Situata bëhet edhe më paradoksale për faktin se në të njëjtën zonë operojnë disa prej strukturave më të njohura hoteliere, si FaFa, AS, Lyden dhe Diamma, të cilat gjatë sezonit veror mirëpresin mijëra turistë çdo ditë. Sipas banorëve, fluksi i vizitorëve në periudhat kulmore tejkalon shifrën e 20 mijë personave në ditë, duke rritur ndjeshëm presionin mbi infrastrukturën ekzistuese.

Pamjet e përditshme tregojnë qartë për një situatë të degraduar: mbeturinat grumbullohen në trotuare, mes pallateve dhe përgjatë rrugëve, duke krijuar jo vetëm një ndotje të dukshme vizuale, por edhe një rrezik potencial për shëndetin publik dhe imazhin e turizmit në këtë zonë.

Sipas legjislacionit në fuqi, Bashkia e Durrësit mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për menaxhimin e mbetjeve urbane, pastrimin e hapësirave publike, mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore dhe garantimin e shërbimeve bazë për qytetarët dhe vizitorët.
Megjithatë, realiteti i reflektuar në terren tregon një tjetër tablo: zona që promovohet si “plazh elitar” duket e lënë pas dore, ndërkohë që banorët dhe turistët vazhdojnë të kontribuojnë financiarisht për shërbime që, sipas tyre, nuk ofrohen në nivelin e duhur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



