Tymnaja e Ramës për qeverinë e re, gjithçka varet nga humori i tij
TIRANË – Publik.al
Qeveria e re e Edi Ramës ende nuk ka emra, por ka një datë: 11 shtatorin, kur është parashikuar mbledhja ku do të hidhen piketat për atë që Kryeministri e ka pagëzuar si “qeverisja për 2030”.
Në thelb, ky nuk është një lajm i papritur. E veçanta këtë herë qëndron tek mënyra se si Rama ka zgjedhur të luajë lojën e ankthit me vartësit e tij. Ndryshe nga herët e tjera, ai e ka shtyrë për disa ditë zbulimin e emrave që do të mbeten në kabinet dhe atyre që do të shkarkohen, duke mbajtur gjallë intrigën brenda Partisë Socialiste.
Tradicionalisht, Asambleja e PS ku shpalleshin ndryshimet e kabinetit zhvillohej në të dielën e fundit të gushtit. Por këtë vit, Rama ka vendosur ta zgjasë agoninë, duke lënë hapësirë për spekulime dhe emra të hedhur në qarkullim nga makina propagandistike e mazhorancës.
Ankthi i oborrit të Kryeministrit
Burime nga Kryeministria tregojnë se gjatë ditëve të fundit, Rama ka zhvilluar takime të shumta me bashkëpunëtorë e drejtues politikë, shumica e të cilëve mbajnë shpresën se do të jenë pjesë e kabinetit të ri. Por, si zakonisht, lista e vërtetë ndodhet vetëm në kokën e tij.
Në një parti që është shndërruar në një makineri propagande me publikun, por shurdh-memecë për zhvillimet e brendshme, kjo pritje ka prodhuar paradoksalisht “emocionin” e vetëm politik të ditëve të fundit.
Nga reforma tek spektakli i pushtetit
Rama po e përdor edhe këtë proces si një spektakël kontrolli, duke treguar se çdo karrierë politike në PS varet nga humori i tij i ditës. Deri në 11 shtator, publiku do të ushqehet me emra të mundshëm ministrash, por vetëm kryeministri di se kush do të përfundojë realisht në qeveri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



