U arrestua në Athinë, reagon Lulzim Caka: Jam i pafajshëm
Lulzim Caka, i arrestuar më 9 shtator në aeroportin ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” në Athinë, ka mohuar përfshirjen në trafikun e kokainës dhe akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Caka, i njohur edhe me emrin John Franko, dyshohet nga autoritetet greke si një prej personave që qëndron në krye të një grupi kriminal shqiptar të përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Kolumbia drejt Greqisë.
Ai u arrestua së bashku me djalin e tij, ndërsa gjatë kontrolleve në një vilë ku dyshohet se qëndronin u gjetën rreth 2 kilogramë kokainë, kimikate, pajisje për paketimin e lëndës narkotike, një pistoletë dhe një automjet luksoz.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet krah avokatit të tij, Caka i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat. Ai deklaron se nuk ka asnjë lidhje me aktivitetin kriminal për të cilin po hetohet dhe shprehet i bindur se çështja do të sqarohet.
“Asgjë nuk ekziston nga këto që thonë. Unë jam i pafajshëm. E drejta do të dalë shumë shpejt. Unë nuk kam lidhje me ato që thonë televizionet, njerëzit dhe policia. Unë jam i pafajshëm”, shprehet Caka.
Kokaina u fsheh mes trëndafilave
Arrestimi i Cakës erdhi në kuadër të një operacioni të zhvilluar më 9 shtator nga autoritetet greke, me përfshirjen edhe të agjentëve amerikanë të DEA-s.
Hetimi lidhet me një ngarkesë me trëndafila të freskët të ardhur nga Kolumbia, brenda së cilës u zbulua një sasi e madhe kokaine. Sipas të dhënave të bëra publike, droga ishte fshehur në mënyrë të sofistikuar mes luleve, duke synuar shmangien e kontrolleve.
Në ngarkesë ndodheshin 80 kuti me trëndafila. Kontrolli me një qen të specializuar çoi në zbulimin e parregullsive në 15 prej tyre. Inspektorët konstatuan se disa prej trëndafilave kishin kërcell artificial, brenda të cilit ishte fshehur kokaina.
Sasia e drogës së zbuluar në këtë operacion është raportuar në rreth 100 kilogramë, ndërsa hetimet greke e lidhin Cakën me një rrjet që dyshohet se ka trafikuar rreth 84 kilogramë kokainë nga Kolumbia.
“I tmerrshmi i Beratit”, i kërkuar edhe në Shqipëri
Emri i Lulzim Cakës nuk është i panjohur për autoritetet shqiptare. Ai rezulton person i kërkuar në Shqipëri dhe lidhet me aktivitetin e grupeve kriminale që vepronin në vend gjatë viteve ’90.
Caka është cilësuar ndër personat e njohur të botës kriminale të asaj periudhe, veçanërisht në zonat e Beratit, Fierit dhe Lushnjës, ku aktiviteti i bandave ishte veçanërisht i pranishëm gjatë viteve 1995–2000.
Ai vuante një dënim prej 25 vitesh burgim për vepra të rënda penale, por në vitin 2019 u largua në mënyrë të paligjshme nga burgu.
Më pas, çështja e ekstradimit të tij në Shqipëri u përplas me vendimin e autoriteteve greke, të cilat e konsideruan të pabazuar kërkesën shqiptare për ekstradim.
Tashmë, pas arrestimit në Athinë, Caka përballet me një tjetër hetim për një prej operacioneve më të bujshme të trafikut të kokainës të goditura së fundmi në Greqi. Ai vetë këmbëngul se është i pafajshëm dhe se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



