U arrestua në protestë, lirohet Klevin Metaj, Apeli i ndryshon masën e sigurisë
Klevin Metaj, djali i gazetares së News24, Brikena Metaj, nuk do të qëndrojë më në arrest shtëpie. Gjykata e Apelit ka pranuar ankimin e tij dhe ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë, duke e zëvendësuar atë me detyrimin për t’u paraqitur një herë në muaj pranë organit përkatës.
I riu ishte arrestuar në ditët e para të protestave studentore të zhvilluara në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama. Pas arrestimit, Gjykata e Shkallës së Parë kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, vendim që u kundërshtua nga mbrojtja ligjore.
Në seancën e zhvilluar në Apel, Klevin Metaj u përfaqësua nga avokatët Gentian Sejrani dhe Taulant Asllanaj. Pas shqyrtimit të ankimit, gjykata vendosi të lehtësojë masën e sigurisë, duke përcaktuar që ai të paraqitet vetëm një herë në muaj pranë autoriteteve përkatëse.
Lajmi u bë publik nga avokati Gentian Sejrani, i cili përmes një reagimi bëri të ditur edhe një zhvillim tjetër lidhur me çështjen. Sipas tij, është regjistruar kallëzimi penal ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit për mënyrën e trajtimit të studentit gjatë shoqërimit dhe ndalimit të tij.
Mbrojtja e cilëson trajtimin e ushtruar ndaj Metajt si degradues dhe çnjerëzor, ndërsa për këtë çështje tashmë ka nisur procedura përmes kallëzimit penal të regjistruar.
Ndryshimi i masës së sigurisë nga Apeli përbën një zhvillim të ri në procesin gjyqësor ndaj të riut, ndërsa pretendimet e ngritura nga avokatët për sjelljen e efektivëve të policisë do të ndiqen në një procedurë të veçantë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



