U arrestua për spiunazh, Fatmir Sheholli i dha 1 mijë euro Milaim Zekës për materialet e BIA-s
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit. Sheholli, i arrestuar në tetor të vitit të kaluar, dyshohet se ka bashkëpunuar me Shërbimin Informativ të Serbisë, BIA, dhe ka ndihmuar veprimtarinë e tij në Kosovë.
Sipas aktakuzës, Sheholli, nga një periudhë e pacaktuar deri në ditën e arrestimit, “me dashje direkte, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – BIA, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi”.
Prokuroria Speciale ka përfshirë në dosje edhe veprimtarinë e Shehollit gjatë kohës së luftës në Kosovë, duke përmendur të kaluarën e tij në strukturat e ish-Jugosllavisë dhe më pas aktivitetin si gazetar.
Sipas prokurorisë, deklarimet e tij publike gjatë vitit 1999 janë përdorur si pjesë e provave. Në një intervistë për gazetën ndërkombëtare “Los Angeles Times”, Sheholli kishte deklaruar se forcat serbe nuk po kryenin gjenocid në Kosovë, por vetëm krime individuale. Prokuroria pretendon se këto qëndrime përkonin me narrativën zyrtare të regjimit të atëhershëm serb.
Në aktakuzë janë përfshirë gjithashtu qëndrime publike të Shehollit në favor të Listës Serbe dhe deklarata të tij lidhur me Milan Radojçiçin, i cili kërkohet nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë.
Përgjimet, kontakti me zyrtarin e BIA-s
Sipas aktakuzës, me urdhër të gjykatës janë përdorur masa të veçanta hetimore, përfshirë përgjime dhe vëzhgime, për të dokumentuar aktivitetin e dyshuar të Shehollit.
Prokuroria thotë se nga këto masa është provuar se Sheholli ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Bojan Dimiç, i cilësuar në dosje si zyrtar i lartë i BIA-s.
Sipas hetimit, të dy kanë komunikuar për pranimin, transportimin dhe publikimin e materialeve që dyshohet se siguroheshin nga shërbimi serb, me synim ndikimin në opinionin publik dhe në jetën politike të Kosovës.
Në telefonin e Shehollit, sipas aktakuzës, janë gjetur edhe komunikime të drejtpërdrejta me Dimiçin lidhur me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një prej komunikimeve të cituara në dosje, Dimiç i shkruan Shehollit për babain e një ish-pjesëtari të UÇK-së, duke i thënë se kishte “diçka të imët, por të parëndësishme”.
Materialet do të publikoheshin në emisionin e Milaim Zekës
Një pjesë e rëndësishme e aktakuzës lidhet me komunikimet e Shehollit me gazetarin Milaim Zeka.
Sipas Prokurorisë Speciale, më 24 shtator 2025 Sheholli ka kontaktuar Zekën dhe i ka thënë se disa materiale do të mbërrinin më 27 ose 28 shtator, duke u dakorduar që ato të shiheshin dhe të diskutoheshin.
Prokuroria pretendon se Sheholli i kishte paraqitur materialet sikur ishin siguruar nga “GIZ-i gjerman”, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.
Në të njëjtën kohë, sipas aktakuzës, Sheholli i kishte premtuar Zekës 2 mijë euro për publikimin e materialeve në emisionin “Pa Rrotlla”, 1 mijë euro në fillim dhe 1 mijë euro pas publikimit.
Në bisedën e përgjuar, Sheholli i thotë Zekës se materialet do të kishin edhe pjesë audio, edhe materiale të shkruara, ndërsa diskutojnë për përkthimin dhe publikimin e tyre.
Prokuroria pretendon se publikimi synonte diskreditimin e zyrtarëve dhe kundërshtarëve të Listës Serbe, duke ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë që u mbajtën më 12 tetor 2025.
5 mijë euro dhe takimi në Mitrovicën e Veriut
Sipas dosjes, Sheholli i ka marrë materialet më 26 shtator 2025 pranë Shkollës Teknike në Mitrovicën e Veriut.
Ai dyshohet se ka shkuar në vendin e takimit i shoqëruar nga një familjar. Sipas aktakuzës, një person me kapele të zezë i është afruar automjetit dhe i ka dorëzuar një fashikull blu bashkë me 5 mijë euro, shumë që, sipas prokurorisë, ishte dakorduar paraprakisht me zyrtarin e BIA-s.
Pas marrjes së materialeve, Sheholli dyshohet se i ka kërkuar bashkëshortes së tij që t’i fshihte në trup, duke i thënë të kontrollonte përreth dhe t’i vendoste në gjoks.
Më pas, sipas Prokurorisë Speciale, çifti është ndalur në qendrën tregtare “ETC”, ku kanë verifikuar përmbajtjen e materialeve dhe shumën e parave.
Në dosje janë përfshirë edhe biseda të tjera të përgjuara mes Shehollit dhe Dimiçit para takimit, ku ata diskutojnë për vendin e dorëzimit dhe masat për të shmangur ndjekjen apo përgjimin.
Prokuroria: Veproi sipas planit të zyrtarit të BIA-s
Duke iu referuar përgjimeve, komunikimeve telefonike dhe materialeve të sekuestruara, Prokuroria Speciale pretendon se Sheholli ka vepruar sipas udhëzimeve të Bojan Dimiçit.
Sipas aktakuzës, qëllimi ishte që materialet e siguruara nga BIA të publikoheshin përmes mediave dhe të përdoreshin për të ndikuar në opinionin publik dhe në procesin politik në Kosovë.
Prokuroria e Kosovës e konsideron këtë pjesë të një plani më të gjerë për të diskredituar zyrtarë dhe kundërshtarë politikë të Listës Serbe dhe për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Aktakuza përfshin gjithashtu prova të tjera nga përgjimet, komunikimet elektronike dhe ekzaminimi i telefonit të Shehollit, ndërsa çështja tashmë do të vijojë në procesin gjyqësor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



