E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
U vra sot në Rinas, zbulohet e shkuara e errët e Gilmando Danit
Flash

U vra sot në Rinas, zbulohet e shkuara e errët e Gilmando Danit

Gilmando Dani

Nga akuza për trafiqe e plagosje, te gjobëvënia ndaj biznesmenëve

Gilmando Dani, i njohur si një nga njerëzit më të afërt të Emiljano Shullazit, u ekzekutua sot në një atentat mafioz. 47-vjeçari ishte një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, me një dosje të gjatë penale që përfshin trafiqe, plagosje dhe armëmbajtje pa leje.

Dani kishte dalë nga burgu vetëm një vit më parë, më 6 tetor 2024, pas disa kërkesave të përsëritura për lirim me kusht që më parë i ishin refuzuar. Ai u transferua në burgun e Rrogozhinës pasi kishte qëndruar për një kohë të gjatë në regjimin e posaçëm të sigurisë së lartë “41-bis”. Vetëm pas shumë përpjekjesh, gjykata pranoi kërkesën e tij për lirim me kusht.

I dënuar me 12 vite burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit, Dani ishte arrestuar fillimisht në vitin 2016 si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Shullazi. Ndaj tij rëndonte akuza për “shtrëngim me anë të kanosjes për marrje pasurie”, në bashkëpunim me Shullazin, Endrit Zelën dhe Edrit Qyqen. Sipas vendimit të gjykatës, ata kishin kërcënuar dhe gjobitur biznesmenin Ylvi Beqja, duke e detyruar të firmoste pesë herë çeqe bankare dhe t’i dorëzonte 20 për qind të aksioneve të ish-hotelit “Vollga” në Durrës.

Për këtë çështje, në vitin 2018, Gjykata e Posaçme dënoi grupin me gjithsej 55 vite burg, ndërsa vetë Emiljano Shullazi mori 14 vite heqje lirie.

Emri i Gilmando Danit ishte i njohur për policinë që prej vitit 2005, kur u arrestua për herë të parë, ndërsa në 2012 u ndalua sërish në lidhje me ngjarje kriminale të ndodhura si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit. Ai është përmendur edhe në disa hetime të zhvilluara në Itali, ku dyshohej për përfshirje në aktivitete të paligjshme, por më vonë u lirua.

Pas më shumë se një dekade burgimesh e procese gjyqësore, Dani rifitoi lirinë vetëm për një vit — deri në ditën kur atentati mafioz i mori jetën.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.