E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
 Udhëtim në rrugët 3D të ERTV-së
OP-ED

 Udhëtim në rrugët 3D të ERTV-së

 

Megjithëse ka kaluar pesë vite në karrigen e pushtetit, Edi Rama vazhdon vetëm të premtojë. Miku im Namir Lapardhaja në një status në Facebook e përngjan kryeministrin tonë, me një hoxhë të fillim viteve ’90 që lëshon nuska për të hequr mësysh-in, ani pse quhej Hoxhë Vangjeli dhe ishte ortodoks.

Kur po lëmë vitin e parë të mandatit të dytë, ne jemi futur në një botë imagjinare. Çdo ditë në faqen e FB apo në kanalin televiziv pa liçencë, ERTV, kryeministri lëshon nuska që na vënë ne në gjumë, na çlirojnë nga bota plot halle e realitetit. Ne, të mësuar nga përvoja, vrapojmë pas nuskave dhe biem në kllapinë që të ofron imagjinata.

Rrugë, rrugë… Me këtë ironi, sulmonte ER pas qënë ende TV, kryeministrin Berisha në vitin 2013. Por ndryshimi qëndron pikërisht tek koncepti që të dy kishin dhe kanë për rrugët. Qeveria e Partisë Demokratike ndërtoi mijëra kilometra rrugë në tokë, ndërsa sot qeveria e rilindjes drejtuar nga Rama ka ndërtuar mijëra video 3D me rrugë që nuk bien kurrë në tokë.

Çdo mëngjes shqiptarët shtrohen rrugëve dhe projekteve të KM në Facebook. Mjafton të hapesh internetin dhe propaganda të rrëmben në lundrim, nëpër rrugët e saj imagjinare. E kështu njësoj si me nuskat e Hoxhë Vangjelit në Kavajë, kënaqemi duke përshkruar asfaltin kibernetik. Pastaj, sa për të ndryshuar nuskë, vjen dhe një video e bukur 4K këtë herë dhe na shfaqet një spital që në SHBA ende nuk është shpikur. Më tutje, një ditë tjetër, na hiqet mësysh-i me një plantacion palmash. Kur të kemi mbaruar punë me rrugët kombëtare, kemi kohë që në 3D dhe 4K të bëjmë edhe një rrugë për fshatin. Fundja pse mos ta “rilindim” edhe fshatin?!

E kështu vazhdon gjumi. Por kur zgjohemi, vrapojmë të prekim asafaltin, spitalin apo shkollën me dritare kristalesh, biem në gropën e madhe të mashtrimit e cila të mbyt sa hap e mbyll sytë. Asgjë nuk është reale, as ajo pamja prej bamirësi që na shfaqin ekranet e kazanit.

Është njësoj si ai portal të cilin e fut në xhep kryeministri e bredhë nëpër Shqipëri. Ti e hap, njësoj si Facebook-un e ERTV-së dhe futesh në botën imagjinare të propagandës. Të duket se e ke zgjidhjen aty, por sa më shumë ti futesh në portal aq më e paarrirë të bëhet porta e zgjidhjes.

Kur ti zgjohesh nga ëndrra, dëgjon sërish, kryeministrin që premton të thotë: mos më thuaj asgjë mua, zgjidhjen e ke në internet. Aty thuren ëndrrat e bukura të shqiptarëve. Ajo që duhet të bëjmë është fare e thjeshtë. Të zgjohemi e të dalim nga gjumi letargjik i propagandës dhe t’i japim fund ëndrrave që kurrë nuk dalin. Ti themi boll nuskave të Hoxhë Vangjelit, të kohës së Facebook-ut.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.