Vakumi opozitar përtej PD dhe opozita tjetër
Pas zgjedhjeve të fundit dhe formimit të organeve të reja drejtuese të Partisë Demokratike, është bërë edhe më e qartë se PD ka zgjedhur një model organizimi që synon mbi të gjitha konsolidimin e bërthamës së saj elektorale.
Strategjia e ndjekur nga Sali Berisha është e kuptueshme nga këndvështrimi i një lideri që administron një bazë të qëndrueshme mbështetjeje prej qindra mijëra votuesish. Për të shmangur konfliktet e brendshme dhe për të garantuar disiplinën politike, ai ka ndërtuar një ekip drejtues homogjen, me besnikëri të plotë ndaj linjës zyrtare politike.
Ky është një vendim që i takon ekskluzivisht Sali Berishës dhe anëtarësisë së Partisë Demokratike. Për sa kohë ai gëzon mbështetjen e shumicës së militantëve dhe strukturave të partisë, askush nuk mund t’i mohojë të drejtën të organizojë PD sipas vizionit të tij politik.
Megjithatë, problemi nuk fillon te Partia Demokratike. Problemi fillon jashtë saj.
Modeli aktual garanton ruajtjen e bërthamës tradicionale opozitare, por nuk duket se është i mjaftueshëm për të krijuar shumicën elektorale të nevojshme për rotacion politik. Votat që siguron sot PD janë një bazë e rëndësishme, por jo e mjaftueshme për të fituar qeverisjen. Pikërisht këtu lind vakumi i madh politik.
Një pjesë e konsiderueshme e elektoratit opozitar nuk e gjen veten në formatin aktual të Partisë Demokratike.
Bëhet fjalë për ish-kontributorë të së djathtës, figura publike, intelektualë, qytetarë të zhgënjyer nga konfliktet shumëvjeçare brenda opozitës, por edhe votues të rinj që kërkojnë një alternativë tjetër përfaqësimi.
Ata nuk janë domosdoshmërisht kundër PD,por nuk identifikohen më plotësisht me të.
Paradoksi është se debati publik vazhdon të zhvillohet pothuajse ekskluzivisht rreth një pyetjeje,Sali Berisha, po apo jo?
Çdo diskutim reduktohet në raportin me Berishën, ndërsa mungon diskutimi për atë pjesë të opozitës që mbetet pa përfaqësim.
Në këtë pikë, një pjesë e opozitës jo-PD ka rënë në të njëjtin gabim që ia atribuon Berishës,personalizimin e politikës.
Edhe përpjekjet për të ndërtuar alternativa të reja janë konsumuar shpesh nga ambiciet personale, rivalitetet dhe mungesa e gatishmërisë për të ndërtuar një projekt të përbashkët.
Pikërisht ky personalizim ka penguar bashkimin e grupeve opozitare, ka prodhuar fragmentim dhe ka sjellë dështime të njëpasnjëshme elektorale.
Ndërkohë, sistemi politik shqiptar nuk shpërblen fragmentimin. Ai favorizon bashkimin e forcave dhe ndërtimin e blloqeve të mëdha elektorale.
Prandaj, sfida kryesore e opozitës nuk është ndryshimi i Partisë Demokratike. As ndryshimi i Sali Berishës. Kjo është një çështje që i përket vetëm PD dhe votuesve të saj.
Sfida reale është mbushja e vakumit opozitar që ekziston përtej Partisë Demokratike.
Kjo kërkon një qasje krejtësisht të re. Çdo grupim, individ apo rrymë opozitare duhet të dalë nga logjika e konfliktit me PD dhe ta pranojë atë si një realitet politik të konsoliduar. Energjitë nuk duhet të konsumohen për të zëvendësuar apo sfiduar PD, por për të plotësuar atë pjesë të elektoratit që ajo nuk arrin ta përfaqësojë.
Shqipërisë i duhet një platformë e re opozitare, e ndërtuar mbi bashkëpunimin dhe jo mbi rivalitetin.
Një platformë që të bashkojë figurat, grupet dhe qytetarët që nuk janë pjesë e Partisë Demokratike, por që kërkojnë ndryshim politik. Jo si kundërshtare e PD por si plotësuese e saj në një front më të gjerë opozitar.
Vetëm një arkitekturë e tillë mund të tërheqë votat e pavendosura, të rikthejë elektoratin e larguar dhe të përfaqësojë segmentet që sot ndihen pa zë. Vetëm kështu mund të krijohet masa kritike e votave që, së bashku me bërthamën tradicionale të Partisë Demokratike, të prodhojë shumicën e nevojshme për rotacion politik.
Në fund, çështja nuk është sa vota ka Partia Demokratike.
Çështja është se ku do të gjenden votat që i mungojnë opozitës për të fituar.
Përgjigjja nuk është më brenda PD.
Përgjigjja ndodhet në vakumin opozitar që ende pret të mbushet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



