E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vazhdon konflikti Digitalb-Klan, asnjë vendim nga Komisioni për mbrojtjen e konsumatorëve
Lajme

Vazhdon konflikti Digitalb-Klan, asnjë vendim nga Komisioni për mbrojtjen e konsumatorëve

Larg syrit të publikut, konflikti mes dy gjigandëve mediatikë në Shqipëri, Digitalb dhe Tv Klan, vazhdon ende.

Qytetarë të shumtë janë ankuar pranë Autoritetit te Mediave Audiovizive për mungesën e sinjalit të TV Klan në platformat e tyre numerike.

Sipas raportit vjetor që AMA i ka nisur Kuvendit, bëhet e ditur se çështja është ende pezull. AMA ka marrë shpjegime nga Digitalb por çështjen e ka nisur për një vendimarrje në Komisionin e Mbrotjes së Konsumatorëve ne Ministrinë e Financave, por që siç bën të ditur AMA, ky komision nuk ka dhënë ende një vendim.

ÇFARË THUHET NË RAPORTIN E AMA-s:

“Në fillim të muajit prill 2019, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) mori një fluks ankesash mbi mungesën e sinjalit për dy televizione (“Klan” dhe “Klan Plus”) në platformën satelitore “Digitalb”, e për pasojë mungesën e sinjalit edhe në shërbimin IPTV, në rastin konkret në shërbimin përkatës të “Albtelekom”.

AMA i trajtoi të gjitha ankesat dhe ndërmori hapat e duhur për adresimin e situatës së krijuar tek institucionet që sigurojnë konkurrencën në treg për shmangien e situatave të ngjashme në të ardhmen. 34 Në zbatim të ligjit nr. 9902, datë 17.04.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve” dhe referuar Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive, ky i fundit kërkoi ndërhyrjen e Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit (KMK) pranë kësaj ministrie, me qëllim garantimin e të drejtave të konsumatorëve. Bazuar në nenin 51, pika 1 e ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, AMA i kërkoi shoqërisë “Digitalb” sh.a., paraqitjen e pretendimeve/shpjegimeve lidhur me këtë situatë.

Në vijim të këtyre përpjekjeve dhe komunikimeve, shoqëria “Digitalb” sh.a. paraqiti pranë AMA-s shpjegimet rreth kësaj situate, duke sqaruar se: “Shoqëria ofron shërbime me akses të kushtëzuar për abonentët e saj në platformën satelitore të transmetimit, kundrejt pagesës dhe abonimit përkatës, në bazë të kushteve dhe termave të rëna paraprakisht dakord në kontratën fillestare të lidhur midis abonentit dhe ‘Digitalb’. Bazuar në këtë kontratë, klientit në asnjë moment nuk i garantohet prania e përhershme e ndonjë kanali të cituar shprehimisht, pasi kjo është diçka që nuk mund të përcaktohet për sa kohë kushtet e tregut ndryshojnë vazhdimisht dhe për sa kohë interesat e shoqërive tregtare që zotërojnë kontrollin e televizioneve mund të ndryshojnë. Ndër të tjera, në kontratën e nënshkruar ndërmjet abonentit dhe ‘Digitalb’ citohet shprehimisht se ‘Digitalb’ mund të ndryshojë përmbajtjen e programeve të tij gjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate, sipas politikave dhe programacionit që vendos ‘Digitalb”. Autoriteti i kërkoi shoqërisë “Digitalb” sh.a. depozitimin e kontratës tip që kjo shoqëri lidh me abonentët/pajtimtarët. Kontrata e depozituar nga shoqëria “Digitalb” iu dërgua Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit. AMA do t’ua bëjë të ditur vendimin e Komisionit sapo të ketë një të tillë nga KMK. Me hapat e ndërmarrë, AMA beson se ka ezauruar rolin e saj ligjor për këtë çështje, gjithsesi mbetet e angazhuar, edhe në të ardhmen, në zbatimin e ligjit për mediat audivizive në Shqipëri, mbrojtjen e interesit më të lartë publik dhe garantimin e të drejtave të konsumatorëve, përmes bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse”, thuhet në raportin e AMA-s.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.