E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vdekja e Eneas në komisariat, merren në hetim 3 policë
Lajme

Vdekja e Eneas në komisariat, merren në hetim 3 policë

Zbardhen akuzat ndaj tyre

 Një ditë pasi ekspertiza përcaktoi se shkaku i vdekjes së e Enea Ftojt nuk kishte ardhur si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia, Prokuroria e Korçës duket se nuk ka lënë jashtë përgjegjësisë policinë.

 

Pavarësisht se vdekja sipas ekspertizës ka ardhur për shkaqe natyrore, Prokuroria akuzon efektivët e Komisariatit të Korçës për mosdhënie ndihme ndaj 27-vjeçarit. Burime nga grupi hetimor bënë me dije se edhe pas konkluzioneve të ekspertizës mjeko-ligjore, hetimet po vijojnë.

Tre efektivë të Policisë do të përballen në përfundim të procesit hetimor me akuzën për mosdhënien e ndihmës shëndetësore ndaj 27- vjeçarit, i cili kishte paraqitur probleme shëndetësore. Sipas të dhënave, edhe pse Ftoj nuk ka vdekur nga dhuna, policia nuk mund të përjashtohet nga përgjegjësia penale për vdekjen e tij. Pjesë e dosjes hetimore, përveç aktit të ekspertimit, janë bërë edhe elemente të tjera, mes të cilave kamerat e sigurisë, regjistrat e kontrollit, por edhe dëshmitë e dhëna nga vetë efektivët e komisariatit.

Tashmë organi i akuzës ka mundur të sigurojë prova që efektivët e policisë nuk i kanë dhënë ndihmë Enea Ftojt, edhe pse ai kishte shfaqur probleme shëndetësore gjatë dy ditëve të qëndrimit në ambientet e komisariatit. Sipas burimeve brenda grupit hetimor, policia ka shkelur rregulloren e trajtimit të të shoqëruarve dhe nuk ka kryer kontrolle periodike në qelinë e 27-vjeçarit, i cili sipas policisë u gjet i pajetë në dhomën e paraburgimit ku po mbahej në pritje për t’u dërguar në gjykatë.

Prokuroria po vlerëson të gjitha provat dhe dëshmitë e grumbulluara dhe pritet të vërë nën akuzë të paktën tre efektivë të Komisariatit të Korçës. Enea Ftoj ndërroi jetë më 17 maj në ambientet e Komisariatit të Korçës, ku ishte shoqëruar pas arrestimit në flagrancë. Ai u kap nga Policia, pasi i kishte vjedhur me dhunë nga qafa varësen e floririt një gruaje, ndërkohë që dyshohej si autor i shumë vjedhjeve të tjera të të njëjtit mekanizëm. Ftoj gjithashtu njihej si përdorues droge.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.