Velipojë/ Banorët në protestë, bllokojnë rrugën dhe përplasen me policinë
Protesta e banorëve të Rrjollit në Velipojë ka nisur me tensione dhe përplasje me forcat e policisë, pasi kundërshtuan hapjen e punimeve për ndërtimin e një resorti në zonë. Fillimisht protestuesit bllokuan aksin rrugor Velipojë–Shëngjin, duke paralizuar qarkullimin për disa minuta.
Situata u përshkallëzua më pas, kur banorët ndërhynë drejtpërdrejt në kantier, duke nxjerrë jashtë zonës së punës punonjësit dhe makineritë e kompanisë ndërtuese. Si pasojë e presionit të protestës, punimet u pezulluan për momentin.
Banorët pretendojnë se toka ku po ndërtohet është pronë e tyre dhe se nisja e punimeve është e paligjshme. Sipas tyre, çështja e pronësisë ndodhet ende në proces gjyqësor dhe në ditët në vijim pritet të zhvillohet seanca përkatëse, çka e bën çdo ndërhyrje ndërtimore të parakohshme dhe në shkelje të ligjit.
Ata akuzojnë autoritetet dhe kompaninë private për grabitje prone dhe shpërfillje të vendimeve gjyqësore, duke paralajmëruar se protestat do të vijojnë dhe do të përshkallëzohen nëse punimet rifillojnë para vendimit përfundimtar të gjykatës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



