E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vendimi/ Apeli i Krimeve të Rënda rikthen në burg Dashamir Xhikën
Lajme

Vendimi/ Apeli i Krimeve të Rënda rikthen në burg Dashamir Xhikën

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka vendosur të rikthejë në burg Dashamir Xhikën, ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Vendimi u dha pas apelimit që bëri organi i akuzës. Prokuroria argumentoi se Xhika akuzohet për korrupsion në vlera të mëdha monetare dhe ka rrezik që të fshehë provat apo të arratiset. Gjithashtu, sipas organit të akuzës, sëmundja e tij, që u bë shkak që ish-zyrtari të lirohej nga qelia, nuk i rrezikon jetën edhe nëse Xhika kthehet në burg. Kërkesa e Prokurorisë u pranua nga gjykata, që ve vendosi rikthimin në burg të Dashamir Xhikës.

Lirimi nga qelia

Më 26 Qershor, gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që të lirojë nga burgu ish-kreun e ARRSH-së, Dashamir Xhikën. Ky i fundit mbahej prej muajsh në burg për skandalin e abuzimeve me rrugën “Tiranë-Elbasan”.

Gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Ilirjana Olldashi, vendosi që të ndryshojë masën për Xhikën nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Mbrojtja ka argumentuar se Xhika ka probleme me shëndetin dhe nuk përbën rrezik për shoqërinë, nuk rrezikon të largohen apo të përsërisë të njëjtën vepër penale, për të cilën po hetohet. Ndërkohë, Prokuroria paralajmëroi apelimin e vendimit.

Hetimet

Ndërkohë, hetimet për rastin vazhdojnë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Dëmi i përllogaritur nga Prokuroria për abuzimet me tenderët dhe amendimet e kontratave me kontraktorët shkon në 37 milionë dollarë.

Përveç Xhikës, për rastin janë nën hetime dhe dy ish-drejtuesit e Njësisë së Menaxhimit të Projektit të Rrugës Tiranë-Elbasan, Aksel Qurduka dhe Albens Alite. Nga të akuzuarit, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar akuzat. Tre ish-zyrtarët kanë bërë disa amendime të kontratave për ndërtimin e rrugëve, duke sjellë shtyrjen e afateve të tyre dhe për pasojë edhe dëme.

Gjithashtu, Prokuroria evidenton si një shkelje të rëndë edhe kryerjen e punimeve nga firmat e ndryshme, duke mos pasur më parë një burim financiar. Kjo shkelje është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të Dashamir Xhikës, ku në një moment të dytë është bërë likuidimi i firmave për punime të kryera më parë.

Ligji e ka të përcaktuar qartë se punimet kryhen pas lëvrimit të fondeve dhe jo para tyre. Prokuroria konstaton se Xhika ka shmangur edhe Bordin Drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Një tjetër shkelje është edhe situata e krijuar pas rrëshqitjeve të dherave në vitin 2014.

Për këtë situatë, ka pasur vonesa në vendimmarrje për zgjidhjen teknike të problematikës nga Këshilli Teknik i ARRSH-së. Ndërkohë, që nga muaji mars i këtij viti, Dashamir Xhika po gjykohet edhe në Gjykatën e Elbasanit për një tjetër skandal abuzimi me rrugët. Bëhet fjalë për skandalin e abuzimeve me rrugën Gjinar-Elbasan, ku nën akuzë është edhe ish-drejtori tjetër i ARRSH-së, Andi Toma.

Dëmi për këtë rast përllogaritet në vlerën e 600 milionë lekë. Kujtojmë se edhe ish-kreu tjetër i ARRSH-së, Andi Toma, po hetohet i lirë. Ai është lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Gjykata e Apelit të Durrësit dy muaj më parë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.