Vendimi i Berishës: 1500 m2 truall mes hotel “Dajti” e Katedrales, i blerë për godinën e Gjykatës së Lartë?
Logjikisht, bosët e ndërtimeve kanë gjetur shesh e kanë bërë përshesh në mes të Tiranës, ndërsa ligjërisht duhet hetuar skema, se si brenda 3 muajsh, kjo sipërfaqe trualli përfundoi nga pronë shteti në pronë private, ndërsa pasi e bleu shteti kaloi përsëri në pronë private
Bëhet fjalë, për truallin që ndodhet buzë rrugës nga ana e lumit Lana, midis ish-hotel “Dajti” e Katedrales Katolike, mbi të cilën po ndërtohet kulla “MET Building Tirana” me 12 kate mbi tokë e 3 kate nëntokë.
Pronësia e këtij trualli, ka lidhje me një vendim qeverie të firmosur nga Sali Berisha në muajin qershor 2010 kur ishte kryeministër, i cili, bëri blerjen nga pronari privat në emër të qeverisë, për të ndërtuar godinën e re të Gjykatës së Lartë.
Ndryshimi i pronësisë së sipërfaqes 1500 m2 nga shtet në privat, është bërë muajin mars 2010, me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave, ndërsa qeveria e ka blerë 3 muaj më pas, për të ndërtuar godinën e re të Gjykatës së Lartë.
Edhe pse në Kadastër nuk ka asnjë dokument shoqërues origjinal, për burimin ligjor përftues të kësaj prone nga privati, por vetëm fotokopje me korrigjime, le ta marrim të mirëqenë sikur letrat janë në rregull.
Por çudia është, se nga pronë e qeverisë, tani kjo sipërfaqe 1500 m2 ka përfunduar përsëri si pronë private dhe mbi të, po ndërtohet kulla “MET Building Tirana”, me leje ndërtimi “A-12705/6, datë 22.08.2018 dhënë nga bashkia Tiranë e miratuar në Këshilli Kombëtar i Territorit.
Sipas tabelës, zhvilluese (pronare) e kësaj kulle është firma “MET Invest Sh.p.k” me administrator Hauard M. Malo, ndërsa ndërtuese është firma “ALBANIAN INVESTMENT CONSTRUTION(A.I.C.) Shpk” me administrator Alban Peza, njohur dhe si pronar i shoqërisë koncesionare të hidrokarbureve “ANIO OIL&GAS Sh.p.k” e disa bizneseve të tjera në lidhje me Edi Ramën dhe trafikantin Ervin Mata.
Logjikisht, bosët e ndërtimeve kanë gjetur shesh e kanë bërë përshesh në mes të Tiranës, ndërsa ligjërisht duhet hetuar skema, se si brenda 3 muajsh, kjo sipërfaqe trualli përfundoi nga pronë shteti në pronë private, ndërsa pasi e bleu shteti, përfundoi sërish në pronë private.
Ish-kryeministri Sali Berisha, duhet të sqarojë publikisht këto pyetje:
– Përse e bleu tokën për ndërtimin e godinës së re të Gjykatës së Lartë dhe përse nuk e ndërtoi?
– Mbi çfarë dokumente ish-pronarësh iu dha privatit falas kjo pjesë zone e mbrojtur?
– A ia ka shitur apo dhuruar përsëri privatit këtë sipërfaqe, deri më 8 shtator 2013 kur ishte në pushtet dhe si i ka bërë letrat në hipotekë?
Fakt/ Projekti i realizuar nga firma “Architechts Mario Cucinella” dhe baza ndërtimore e kullës “MET Building Tirana” midis ish- hotel “Dajti” e Katedrales Katolike është fiks 1500 m2.
Aq sa sipërfaqja, që ish-kryeministri Sali Berisha e bleu në muajin qershor 2010 për të ndërtuar godinën e re të Gjykatës së Lartë, ndërsa Edi Rama, në muajin gusht 2018 i dha leje ndërtimi firmës “MET Invest Sh.p.k” për të ndërtuar kullë.
Indiciet që po publikojmë dhe detajet e të vërtetës për këtë truall e lejen për këtë kullë, le t’i hetojë SPAK-u… nëse do t’i japin leje.Pamfleti
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



