E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vendimi i papritur/ Qeveria tjetër taksë mbi karburantet
Lajme

Vendimi i papritur/ Qeveria tjetër taksë mbi karburantet

Komisioni i Prokurimeve Publike i ka hapur rrugën koncesionit të shumëpërfolur për ‘kontrollin e pompave’ në stacionet e karburanteve.

Përmes një vendimi të beftë, Komisioni i Prokurimeve ka lejuar Ministrinë e Financave të zhvillojë tenderin që ia kalon privatit këtë shërbim, i cili aktualisht kryhet nga Drejtoria e Metrologjisë.

Projekti për të dhënë me koncesion kontrollin e pompave të karburanteve ka lindur në vitin 2016, si propozim i pakërkuar nga një kompani shqiptare e quajtur ‘Noa Control’. Për dy vite, propozimi mbeti në sirtarët e Ministrisë së Ekonomisë, por çuditërisht, vitin e kaluar ai u riaktivizua në mënyrë të beftë.

Në muajin qershor, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim, ku jo vetëm pranoi propozimin e ‘Noa Control’ për koncesionin, por edhe e shpërbleu këtë kompani me bonus sa 10 për qind të pikëve në tender. Pas këtij vendimi, Ministria e Financave caktoi menjehërë tenderin, duke lënë si afat tetorin e vitit të kaluar.

Por, pak ditë para tenderit, një kompani zvicerane e ankimoi procesin në Komisionin e Prokurimit Publik. Në ankesën e detajuar, kompania argumentonte se koncesioni ishte në kundërshtim flagrant me ligjin, ndërsa kriteret e vendosura nga Ministria e Financave në tender kufizonin garën, duke paracaktuar si fituese kompaninë ‘Noa Control’.

Ankesa qëndroi për më shumë se 4 muaj në Komisionin e Prokurimeve. Tashmë, Komisioni ka vendosur ta rrëzojë atë, duke i hapur rrugë koncesionit të radhës, i cili për 20 vitet e ardhshme devijon 60 milionë euro, nga buxheti i shtetit te llogaria e një kompanie private.

Koncesioni i pompave është taksa e tretë private, që qeveria u ngarkon qytetarëve te çmimi i naftës. Dy të parat janë ‘tarifa e markimit’ dhe ajo e ‘skanimit’, parà të cilat paguhen nga qytetarët në çmimin e naftës, por në vend që të shkojnë në buxhetin e shtetit, janë devijuar në llogari private përmes koncesioneve, që lindin si oferta të pakërkuara dhe me procedura të kontestuara.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.