Veprimi arbitrar i kryeministrit Rama, i kushton shtetit mijëra euro
Nuk pranoi të dorëhiqej kur ia kërkoi Rama dhe e shkarkoi
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar përfundimisht betejën ligjore me qeverinë shqiptare, duke përfituar 100 mijë euro dëmshpërblim për shkarkimin e paligjshëm nga detyra.
Gjykata Administrative e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, i cili e cilëson si të padrejtë dhe të paligjshëm vendimin për largimin e tij nga posti i lartë drejtues, duke detyruar shtetin shqiptar të paguajë 60 paga mujore, aq sa zgjat mandati i tij pesëvjeçar, i ndërprerë para kohe.
Shkarkimi i Gledis Nanos u propozua nga ish-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ndërsa vetë kryeministri Edi Rama i kishte kërkuar më parë Nanos të jepte dorëheqjen, kërkesë që ai nuk e pranoi, duke çuar më pas në shkarkimin e tij.
Pas këtij vendimi të formës së prerë, buxheti i shtetit do të duhet të përballojë koston e pagës së dy drejtorëve të Policisë, një për drejtorin aktual dhe një për Gledis Nanon, si kompensim për shkarkimin e padrejtë nga detyra.
Rasti hedh dritë mbi praktikat arbitrare të largimeve nga detyra në administratën publike, dukë sjellë më pas edhe kosto të shtuar në buxhet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



