Vërshëllimat i këpusin zemrën Granit Xhakës: Më dhembin!
Përfaqësuesja e Kosovës ka mbyllur me sukses fushatën kualifikuese të Botërorit, duke siguruar për herë të parë në histori një vend në Play-off të Kupës së Botës 2026. Sfida e fundit e Dardanëve u luajt në Prishtinë ndaj Zvicrës dhe u mbyll me rezultatin 1-1, duke vulosur një arritje të madhe për futbollin kosovar.
Megjithatë, ndeshja nuk kaloi pa tensione. Sa herë që kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, prekte topin, në stadium dëgjoheshin vërshëllima. Një situatë e cila nuk kaloi pa reagim nga vetë mesfushori me origjinë shqiptare.
Pas përfundimit të takimit, Xhaka u shpreh se ishte i befasuar dhe i lënduar nga pritja e tifozëve:
“Jam i befasuar që më vërshëllyen. Më lënduan, por më duhet ta pranoj. Mundohem të përqendrohem vetëm te loja, por për fat të keq është pjesë e futbollit. Unë gjithmonë kam pasur përkrahjen e tifozëve të Zvicrës, si në shtëpi ashtu edhe në transfertë,” tha kapiteni helvet.
Ai shtoi se, pavarësisht episodit, Zvicra ka arsye të jetë krenare për atë që ka arritur:
“Të gjithë që ishin këtu mund të jenë krenarë. Jemi kualifikuar për një kompeticion të madh për të tetën herë radhazi. Ishte e rëndësishme të mos binim nën presionin e ekipit të Kosovës.”
Xhaka foli edhe për aspektin psikologjik të sfidës, duke e cilësuar një ndeshje të vështirë për të dyja skuadrat:
“Nuk është e lehtë të luash kur e di se mund të humbasësh gjithçka, edhe pse gjashtë gola ishin shumë që të pësonim. Dominuam në pjesën e parë dhe arritëm të shënonim në fillim të së dytës. Më pas Kosova shtoi presionin dhe barazoi. Në përgjithësi kemi bërë një fushatë eliminatore shumë të mirë.”
Kosova tashmë pret kundërshtarin në Play-off, ndërsa emocionet e kësaj sfide mbeten njëkohësisht historike dhe të trazuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



