Vetëm me një ngarkesë 180 mln euro/ Sa drogë është trafikuar nën qeverisjen e Edi Ramës?
Sasia rekord e kokainës e kapur në portin e Durrësit, prej 613 kilogramësh, konfirmoi atë që është diskutuar prej kohës, që trafiku i drogave të forta nga Shqipëria drejt BE-së është rritur.
Në fakt janë raportet e agjencive ndërkombëtare që e kanë konfirmuar këtë gjë. Departamenti Amerikan i Shtetit, Raportet e EUROPOL dhe të Policisë Gjermane, prej kohësh kanë ngritur alarmin se nga Shqipëria po trafikohej drogë e madhe, e jo vetëm hashash, por edhe kokainë e heroinë.
Kapja e kësaj sasie rekord ka sjellë edhe pyetje të tjera, në lidhje me efikasitetin e qeverisë së Edi Ramës për të luftuar këtë fenomen. Natyrshëm lind edhe pyetja: Sa drogë është trafikuar nën qeverisjen e Edi Ramës, kur vetëm në një dorë u kapën 613 kilogramë.
Sa raste të tjera të trafikut të kokainës dhe heroinës nuk janë zbuluar, sa drogë ka kaluar nga Shqipëria në drejtim të Europës. Kush nga qeveria është i përfshirë në këtë trafik të madh kokaine e heroine.
Po të marrësh faktet njëri pas tjetrit del se edhe këtë sasi të madhe droge, nuk e kanë kapur autoritet shqiptare. Kanë qenë autoritetet e Gjermanisë, Spanjës dhe Holandës që kanë bërë një hetim që nga Kolumbia në Shqipëri, e më pas kanë njoftuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Këta të fundit kanë drejtuar operacionin që çoi në kapjen e 613 kilogramëve kokainë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



