VIDEO/Momenti i shpërthimit të digës në Bunec
Çarja e digës në Bunec shkakton dëme të mëdha: 12 biznese dhe dy banesa preken nga vërshimi
Një ditë më parë, diga e ujëmbledhësit në Bunec, në fshatin Sasaj të Lukovës, është çarë, duke shkaktuar një vërshim të furishëm të ujit. Pamjet e filmuara nga banorët e zonës tregojnë presionin e lartë të ujit, që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, si pasojë e çarjes janë dëmtuar 12 biznese, si dhe baza ushqimore dhe blegtorale e dy banesave. Përveç dëmeve materiale, është ndërprerë edhe furnizimi me energji elektrike në disa fshatra, përfshirë Borshin, Piqerasin, Bunecin dhe Lukovën.
Mungesa e energjisë u shkaktua nga përmbytja e nënstacionit të Bunecit, që ishte nën ujë dhe paraqiste rrezik nëse lidhej energjia. Furnizimi me energji është rikthyer vetëm në orët e para të ditës së sotme, pas përpjekjeve të ekipeve të emergjencës për të normalizuar situatën.
Banorët e zonës kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe mbështetje për përballimin e pasojave të shkaktuara nga kjo ngjarje, që ka tronditur komunitetin dhe ka ndikuar ndjeshëm në ekonominë lokale. Autoritetet janë në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të marrë masa për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



