E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Video/ Zbulohen pamjet dhe kompania që i futi në treg  mishin me salmonelë
Lajme

Video/ Zbulohen pamjet dhe kompania që i futi në treg mishin me salmonelë

U investua me paratë e IPARD

Një tjetër skandal ka përfshirë sigurinë ushqimore të shqiptarëve. Pas mandarinave me pesticide vetëm pak kohë më parë, një ngarkesë disa tonëshe me fileto pule me salmonelë është ndaluar në Portin e Durrësit. Çështja është denoncuar në Prokurorinë e Tiranës dhe kanë nisur hetimet për skandalin e salmonelave të pulës të importuara nga Brazili dhe që u ndaluan në Portin e Durrësit.

Burime zyrtare konfirmuan se për të hetuar këtë skandal, me short është caktuar prokurori Platin Aliçka. Ky i fundit pritet që brenda 15 ditësh, të regjistrojë procedimin penal. Organi hetues tregohet i rezervuar mbi emrin e kompanisë që futi këto produkte në vendin tonë.

Porosia e pulave me salmonelë është bërë nga kompania AMG FOOD, me administrator Mondi Goxha. Kjo kompani ka përfituar fonde nga programi IPARD dhe është rast i përsëritur që e njëjta kompani fut në tregun shqiptar mish me salmonelë.

Madje, ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca e konsideronte këtë kompani si model suksesi.


Video e shpërndarë nga Ish ministria Frida Krifca në magazinat e AMG

Njoftimi i AKU për skandalin e filetove të pulës me salmonelë dhe referimin në Prokurori:

Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, si dhe në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar para disa ditësh gjatë proceseve të kontrollit të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit.

Referuar analizimit në ISUV në datën 21.03.2025, për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.

Është inspektuar subjekti importues për ndjekjen e gjurmueshmërisë, i cili është referuar  në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron publikun se situata është në ndjekje të vazhdueshme dhe se çdo veprim është ndërmarrë në funksion të transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. Për çdo zhvillim të mëtejshëm, AKU do të vijojë të informojë në mënyrë të saktë dhe të përgjegjshme.

Policia e Tiranës është kujtuar më në fund për skandalin e salmonelës në treg.

Në një njoftim zyrtar thuhet se është shpallur në kërkim administratori i kompanisë, ndërsa është proceduar vëllai i tij.

Ndërkohë janë proceduar edhe tre inspektorë të AKU.

NJOFTIMI ZYRTAR

Importuan produkte ushqimore të cilat në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës, shpallet në kërkim administratori i kompanisë si dhe procedohet penalisht vëllai i tij, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve“. Procedohen penalisht dhe 3 inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kreu veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të  salmonelës dhe në vijim të veprimeve  u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe  u proceduan penalisht  shtetasit: M. G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. G., në cilësinë e administratorit të kompanisë së bashku me vëllain e tij shtetasin M. G.,  kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës. Shtetasit G. H., S. L., dhe A. S., në cilësinë e  inspektorëve të AKU me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.