E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Virgjëresha e Korrupsionit” Pogaj, vulosi monopolin GTS–MESSER për oksigjenin spitalor
Denoncime

“Virgjëresha e Korrupsionit” Pogaj, vulosi monopolin GTS–MESSER për oksigjenin spitalor

Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), i drejtuar nga Arlinda Pogaj, ka ndërtuar një skemë të re për shpërndarjen e fondeve publike për oksigjenin spitalor, e cila në thelb riprodhon dhe thellon monopolin e dy kompanive të njëjta: GTS dhe MESSER.

Pavarësisht kallëzimeve, hetimeve dhe dyshimeve të forta të ngritura ndër vite – përfshirë procedura të referuara edhe në Prokurorinë e Posaçme – të dyja kompanitë vijojnë të përthithin praktikisht çdo qindarkë të akorduar nga buxheti i shtetit për furnizimin me oksigjen mjekësor.

Centralizimi që mbylli garën

Pas heqjes së të drejtës së shumë spitaleve universitare, rajonale dhe lokale për të zhvilluar procedura të pavarura, procesi i prokurimit u përqendrua në OBP. Siç ishte paralajmëruar më herët nga VoxNews, ky centralizim nuk solli konkurrencë, por përforcoi monopolin ekzistues.

Kriteret e vendosura nga autoriteti kontraktor rezultuan përjashtuese për operatorë të tjerë ekonomikë, duke i lënë “në garë” vetëm GTS dhe MESSER – kompani që prej vitesh dominojnë tregun e oksigjenit spitalor.

“Gara” me qindarka

Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku në shumicën e tenderëve paraqitej vetëm një ofertë, skema aktuale është edhe më e rafinuar: në çdo lot paraqiten të dyja kompanitë, me oferta të ndara nga fondi limit me dhjetëra apo qindra lekë.

Shembujt janë domethënës:

• Spitali Rajonal Berat
Fondi limit: 15,939,000 lekë
Fitues: MESSER – 15,862,800 lekë
Kundërofertë GTS: 15,939,000 lekë (100% e fondit limit)
Kursimi për shtetin: rreth 76 mijë lekë
• Spitali Rajonal Gjirokastër
Fondi limit: 11,059,200 lekë
Fitues: MESSER – 11,008,000 lekë
GTS: 11,040,000 lekë
Diferenca mes ofertave: disa dhjetëra mijë lekë
• Sanatoriumi “Shefqet Ndroqi”
Fondi limit: 30,153,600 lekë
Fitues: GTS – 29,985,000 lekë
MESSER: 30,150,400 lekë
Kursimi real: rreth 1,700 euro
• Spitali Rajonal Durrës
Fondi limit: 33,613,056 lekë
Fitues: GTS – 33,424,200 lekë
MESSER: 33,610,560 lekë
Diferencë simbolike: rreth 25 euro

E njëjta skemë përsëritet në Fier, Dibër dhe Lezhë, me oferta që luhaten disa qindra apo mijëra lekë poshtë fondit limit, ndërsa kompania tjetër ofron pothuajse identikisht vlerën maksimale.

Monopol me bekim institucional

Në letër, procedurat rezultojnë “të rregullta”. Në praktikë, saktësia kirurgjikale e ofertave dhe rotacioni i fituesve ngrenë dyshime serioze për marrëveshje të paracaktuara mes kompanive, me dijeni – ose të paktën tolerancë – nga ana e OBP-së.

Pavarësisht faktit se çmimi i oksigjenit spitalor në Shqipëri rezulton 3 deri në 4 herë më i lartë se në vendet e rajonit, asnjë mekanizëm ndalues nuk është aktivizuar. Dyshimet se GTS dhe MESSER kontrollohen nga interesa të përbashkëta pronësore mbeten të paadresuara.

Paralajmërimi i shpërfillur

Media e kishte paralajmëruar publikisht këtë skemë, duke evidentuar se centralizimi i prokurimeve nuk do të sillte kursime reale, por vetëm legalizim të monopolit. Megjithatë, OBP-ja nën drejtimin e Arlinda Pogajt nuk ndërhyri për të ndryshuar kursin.

Në vend të verifikimeve në terren, të kontrollit të depove dhe të kostove reale, institucionit i mjaftoi raportimi formal i “kursimeve” simbolike, ndërkohë që miliona euro vijojnë të shpërndahen mes të njëjtëve operatorë.

Një skemë që kërkon hetim

Në kushtet kur disa ish-zyrtarë kanë dëshmuar më herët në Prokurorinë e Posaçme për tendera të ngjashëm, skema e re e oksigjenit spitalor përbën jo vetëm vazhdimësi të dyshimtë, por edhe një sfidë të hapur ndaj kontrollit institucional.

Pyetja nuk është më nëse fondet po shpërndahen, por kush garanton që këto procedura nuk janë të paracaktuara dhe pse, edhe sot, tregu i oksigjenit spitalor mbetet peng i dy emrave të njëjtë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.