E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vladimir Putin dhe sovraniteti kombëtar i Rusisë
Publik News

Vladimir Putin dhe sovraniteti kombëtar i Rusisë

                    

“Putini është një vrasës”- këtë epitet do të përdorte senatori i Arizonës Xhon Mekein mbas zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2016.

“Ai është një njeri i bardhë që ka vrarë gazetarë dhe kundërshtarët e tij politik”- do të thoshte një vit më vonë ish kandidatja për Presidente Hilari Klinton në emisionin “Sunday Morning”. Këto akuza do të vijonin edhe nga Presidenti aktual i Amerikës Xho Bajden. Ai do ta quante Putinin një vrasës që do të paguajë shtrenjtë ndërhyrjen që ka bërë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Amerikë, duke favorizuar Trampin.

Vladimir Puti

Mbas ngjarjeve në Ukrainë, në mars 2014, po të bëje një kërkim të thjeshtë në Google të togfjalëshit “Putin thug”, do të dilnin rreth 850 000 publikime, duke llogaritur që po aq rezultate dalin edhe për togfjalëshin “Putin Murderer”. Po të vazhdojmë me terma të tjerë si psh “Putini tiran”, nga kërkimi dalin mbi 500 000 rezultate. Pjesa më e madhe e këtyre epiteteve dhe përcaktimevedalin si pasojë e komenteve dhe shkrimeve, të gazetarëve, politikanëve por edhe më gjerë në hapësirën publike të hemisferës perëndimore.

Megjithatë, perceptimi përkundrejt Putinit brenda në Rusi është krejt tjetër. Që nga dita që u vendos në krye të Federatës ruse mbështetja elektorale e Putinit apo edhe opinionet e njerëzve në një prizëm më të gjerë kanë lëvizurnga 60%  deri në 77%  po të kemi parasysh zgjedhjet e fundit presidenciale të mbajtura në 18 mars 2018. Kjo është një mbështetje e cila tejkalon mbështetjen e çdo lideri perëndimorqoftë në Amerikë, qoftë në Europë.

Ndryshe nga kultura politike e popujve të perëndimit, ndryshe nga historia shtet–formuese e vendeve perëndimore, në Rusi kemi një situate tjetër që duhet pasur në konsideratë. Rusët janë një popull më tradicionalist dhe me një këndëvështrim më patriarkal sa i përket liderit që do ti udhëheqë. Vitet e qeverisjes së Boris Jelcinit, treguan se një hapësirë e pafund prej 17.13 milion km², e përbërë prej mbi 160 etnish nqs nuk qeveriset nga një dorë e fortë dhe autoritare, del nga kontrolli dhe kalon në anarki. Raportin midis Putinit dhe rusëve, studiuesi Aleksandër Dugin do ta përshkruante në këtë mënyrë: “Një lloj autokracie e vendosur nga poshtë, tip monarkie e kërkuar nga njerëzit dhe jo e imponuar nga sipër.

Unë e konsideroi Putnin carin që bie ndesh me veten. Ai nuk është cari apo diktatori apo figura arturiane sipas vullnetit të tij, por është i imponuar nga njerëzit. Masat, populli rus , duan të shikojnë tek ai figurën e carit. Pikërisht kjo është forca, dobësia, fuqia e tij, por njëkohësisht edhe dobësia, drama, ekuacioni i tij personal të cilin ai vet duhet që ta zgjidhë.”

Për ta kuptuar më mirë këtë personazh është e domosdoshme që të paraqesim një tablo të shkurtër të Rusisë para se Putini të merrte drejtimin e vendit. Mbas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik (BRSS), Rusia humbi 23.8 % nga territori i saj kombëtar, 48.5 %  të popullësisë, 41%  të prodhimit kombëtar (ang. GDP), 39.4 % të potencialit të saj industrial dhe 44.6 % të potencialit ushtarak, për shkak të ndarjes së forcave të armatosura sovjetike midis ish-republikave sovjetike. Fillimi i viteve 90’ ishte një periudhë e turbullt për Rusinë jo vetëm në sajë të ndryshimeve që erdhën si pasojë e shpërbërjes së BRSS-së dhe rënies së Murit të Berlinit por edhe si pasojë e krizës ekonomike që erdhi mbas privatizimeve dhe hapjes ndaj ekonomisë së tregut.

Qeveria e kishte humbur ndjeshëm kontrollin mbi ekonominë kombëtare. Në pak muaj GDP-ja rame 17 %, në shumë zona çmimet u 4-fishuan. Në gusht 98’, rubla humbi 70 % të vlerës së saj duke çuar plot ndërmarrje drejt falimentit. Pamjet e njerëzve të cilë prisnin në rradhë nëpër dyqane për 1 copë bukë, u bë e zakonshme. Presidenti Boris Jelcin, ndoqi rrugën e tregut të hapur. Së bashku me stafin e ngushtë të ekonomistëve dhe financierëve, ai u tregua i paaftë që të përshtaste ekonominë kapitaliste perëndimore me kushtet në të cilat ndodhej shoqëria ruse.

Privatizimet e reja, me çmime qesharake dhe pa kritere të përcaktuara ligjore, hapën faqen e periudhës së sundimit të oligarkëve. Këto të fundit u bënë zotëruesit e vertetë të pushtetit në Rusi. Ndër më të njohurit veçojmë Mikail Kodorkovskin, një djalosh i ri, të cilin vitet 2000 e gjetën pa mbushur akoma 40 vjeç me një pasuri prej 15 miliard $ dhe njëkohësisht njeriun më të pasur në Rusi. Një tjetër emër i njohur i oligarkisë ruse të atyre viteve ishte dhe Boris Berezovski, manjati i aluminit në hapësirat e pafundme të Siberisë. Lista është tepër e gjatë por për të shmangur detajet e tepërta  do të ndalojmë pak më poshtë vetëm te këta dy emra. Të dy personazhet e sipërpërmendur ishin rus dhe nga atësia ishin me origjinë hebreje.

Një nga tiparet e politikës së viteve të Jelcinit ishte dhe partneriteti i tij strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Raportet e këtij të fundit me Amerikën vazhdojnë të ngjallin debate edhe sot e kësaj dite në mesin e studiuesve të cilët ndajnë pikëpamje të ndryshme. Disa e shikojnë këtë raport si një raport normal ku palët janë në pozita të barabarta me njëra tjetrën dhe disa të tjerë si një marrëdhënie vasaliteti. Sipas studiuesit dhe gjeostrategut Italian Franko Frakasi apo edhe shtypit të kohës si psh gazeta “L’atlantique, CIA ishte infiltruar në BRSS gjatë grushtit të shtetit të gushtit 1991 kundë Mikail Gorbaçovit duke mbështetur Jelcinin i cili u shfaq papritur mbi tank për të qetësuar situatën i sigurt që këto të fundit nuk do të hapnin zjarr. Më pas do të ishte po Jelcini i cili do bënte kërkesë që Gorbaçovi të dilte nga burgu dhe më vonë në një fjalim të këtij të fundit do të ndërhynte në mënyrë demonstrative duke ia ndërprerë fjalën dhe duke hypur vet në podium.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 1996, mbështetja e rusëve ndaj Jelcinit ishte në kuotat më të ulëta. Për të mbështetur fushatën elektorale të këtij të fundit, u dërguan dhe dy këshilltarë amerikanë. Këta ishin strategët politikë Xhoe Shumate dhe Xhorxh Gorton, të cilët kishin shërbyer më parë sikëshilltarë të guvernatorit të Kalifornisë Peter Uillson dhe të vetë Bill Klintonit. Një detaj që doli më vonë dhe të bën përshtypje është se këshilltarët amerikanë, sapo erdhën,vendosën të punonin për afro 100 ditë brenda në hotel “President” duke mos dale në mënyrë të hapur në publik. Si përfundim Boris Jelcin arriti të shpallej fitues me rreth 54.4 % të votave përkundrejt kundërshtarit të tij të Partisë Komuniste, Genadi Zhuganov i cili mori rreth 40.7 % të votave. Në këtë fushatë Jelcini do të shpenzonte rreth 2 miliard e gjysëm dollar, në një kohë që rivali i tij vetëm 3 milion dollar. Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar do ti jepte Boris Jelcinit rreth 1 muaj përpara zgjedhjeve një hua prej 10 milion dollarësh.

Sikur të mos mjaftonin tërë këto probleme për Rusinë, në horizont filluan të dukeshin edhe retë e luftës. Terroristët separatist në Republikën e Çeçenisë synonin shkëputjen e kësaj republike nga Rusia dhe për këtë nuk kursenin edhe aktet terroriste ndaj civilëve. Ekzistenca e vetë Rusisë ishte në rrezik sepse shkëputja e republikave të Dagestanit dhe të Çeçenisë mund të ishin shkaku për të ndezur fitilin i cili do të sillte një efekt domino që mund të çonte edhe në shkëputjen e republikave të tjera. Në një skenar të tillë të paimagjinueshëm shpërbërja e Rusisë do ishte e pashmangshme. Ajo do ti mbetej pluhurit të historisë njëlloj si Jugosllavia apo vet Bashkimi Sovjetik.

Në agimin e mijëveçarit të ri, kur të gjithë prisnin fjalimin përshëndetës të Boris Jelcinit, diçka e papritur ndodhi. Fjalimi u mbajt nga një njeri jo shumë i njohur, i cili kishte rreth 4 muaj që ishte bërë Kryeministër, duke befasuar jo pak njerëz. Ky njeri me fizik të imët, jo tepër i gjatë, por shumë i qetë dhe me njëvështrim depërtues, ishte Vladimir Putin.

Anarkia totale që kishte përfshirë vendin sikurse edhe skandalet e vazhdueshme personale do të çonin në deklaratën për dorëheqje të Jelcinit në 31 dhjetor 1999. Një tjetër goditje për Presidentin e kohës, do të ishte skandali financiar publikuar edhe në gazeta prestigjoze të huaja si “Il corriere della sera”, ku paraqiteshin aferat finaciare të perandorisë së korrupsionit të këtij të fundit në bashkëpunim me qarqe të ndryshmeperëndimore .

Në fillim të vitit 2000, në kohën që Putini futet në Kremlin, Rusia i ngjante një anije e cila merrte ujë nga të gjitha anët dhe rrezikonte të mbytej. Ajo që bëri përshtypje te publiku i gjerë ishte se Putini përgjatë fushatës nuk kishte bërë asnjë premtim elektoral. Emergjenca e parë kombëtare që duhej zgjidhur me të marrë drejtimin e vendit ishte mposhtja e terrorizmit në Çeçeni dhe Dagestan”. Ai personalisht do të udhëtonte në Dagestan, në zemër të konfliktit, pavarësisht rrezikut dhe paralajmërimeve të shumta.

Ky akt, të cilin nuk e kishte bërë asnjë politikan më parë, së bashku me deklaratat e tij të vendosura për ti ndjekur terroristët kudo ku ata do të shkonin, e rriti ndjeshëm mbështetjen e opinionit publik për Presidentin  e sapo zgjedhur. Aktet terroriste të 4 shtatorit 1999 në Dagestan ku mbetën të vrarë 64 njerëz, sulmet e pabesa kundër civilëve në 9 dhe 13 shtator në Moskë ku u vranë përkatësisht 94 dhe 119 të  tjerë,treguan edhe njëherë egërsinë e armikut që po luftohej.Angazhimi personal i presidentit të ri në monitorimin e operacioneve ushtarake, vendosmëria e tij e palëkundur, sikursedhe mbështetja e pakushtëzuar e rusëve, çuan në mënyrë graduale në shuarjen e konfliktit të përgjakshëm pavarësisht se diçka e tillë dukej e largët. Referendumi i mbajtur më vonë në Çeçeni në vitin 2003 ku shumica dërrmuese votuan kushtetutën e re e cila e deklaronte Çeçeninë si pjesë të pandarë të Rusisë, i dha fund njëherë e përgjithmonë këtij kapitulli. Në një intervistë dhënë për regjizorin e njohur Oliver Stone, në lidhje me luftën në  Çeçeni, Putin do të kujtonte se shërbimet sekrete ruse në atë kohë kishin të dhëna se CIA amerikane kishte mbështetur në logjistikë separatistët. Ai tha se një shqetësim të tillë ja kishte shprehur edhe Presidentit Xhorxh W.Bush i cili ishte shprehur se do të interesohej për vërtetësinë e këtij fakti.

Një problem i dytë mjaft i mprehtë që duhej zgjidhur ishte çështja e oligarkëve të cilin kishin pushtetin e vërtet politik dhe ekonomik në Federatën Ruse. Një pjesë e tyre e kishin mbështetur kandidimin e Putinit. Boriz Berezovski kujton se disa herë ishte munduar t’ia mbushte mëndjen Putinit që të kandidonte pasi ky i fundit nuk e priste një ofertë të tillë dhe hezitoi. Në një takim para kamerave të mbajtur me oligarkët në Kremlin, Putini deklaroi se e kaluara duhet lënë pas dhe që sot e në vijim oligarkët nuk do të kenë më ndikim në politikat shtetërore, duhet të paguajnë rregullisht taksat e vendosura nga shteti  dhe duhet ti trajtojnë punëtorët në mënyrë dinjitoze dukeu dhënë rroga të kënaqshme. Një pjesë e mire e tyre nuk i pranuan oferta të tilla. Si rezultat nisi një “luftë” tjetër mbas asaj me terroristët, “lufta” kundër oligarkëve.

Manjati i naftës dhe medias Kodorkovski u arrestua në tetor 2003 dhe u akuzua për mashtrim dhe evazion fiskal. Kodorkovski gjithashtu dyshohej se kishte porositur disa vrasje, por nuk kishte prova të mjaftueshme të drejtpërdrejta për ta akuzuar. Partneri i Kodorkovskit në krim, Leonid Nevzlin, më vonë u arratis në Izrael. Berezovski dhe ortaku i tij Gusinski ikën nga Rusia duke kërkuar azil politik. Nëse do të ktheheshin ata do të përballeshin me çështjet penale që ishin hapur kundrejt tyre. Shteti rus rimori kontrollin e ndërmarrjeve të vjedhura, burimeve natyrore. Shumë oligarkë të tjerë përfunduan në burg. Ata që arritën ti  shpëtonin drejtësisë  u larguan në Amerikë, Britani ose Izrael. Lufta përkundrejt oligarkëve kishte dhënë rezultat dhe ekonomia filloi të merte frymë sërish. Diçka e tillë u vu re sidomos gjatë mandatit të dytë të Putinit si President (2004-2008). Nga 2001 në 2007, ekonomia u rrit me një normë prej 7% në vit.

Produkti i Brendshëm i Rusisë (PBB) u rrit 6 herë, duke u ngjitur nga e 22 -ta në të 10-të në renditjen e përgjithshme botërore. Pagat mesatare ishin rritur duke u dhjetëfishuar. Përqindja e njerëzve që jetojnë nën kufirin e varfërisë u përgjysmua. Një ndër lëvizjet e tjera të Putinit ishte dhe shlyerja e borxhit të jashtëm. Në këtë mënyrë ai vetë dhe Rusia krijuan një pavarësi dhe sovranitet kombëtar ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Politikat e Putinit nuk u mbështetën vetëm në aspektin material dhe ekonomik. Ai e kuptoi që sovraniteti i vendit forcohej duke forcuar ndërgjegjen dhe shpirtin e njerëzve. Për këtë arsye ai ndoqi politika të tilla shtetërore për të ringjalluar zemrën shpirtërore të Rusisë e cila kishte përjetuar plot 70 vite ateizëmtë egër dhe të imponuar. Krishtërimi filloi të rilindte sërish në Federatën Ruse. Pa i imponuar askujt trashëgiminë e krishterë ortodokse të Rusisë, Putini mbështeti pa kushte Patriarkun e Kishës për të sjellë një ringjallje të institucionit që ishte shtypur për kaq kohë. Rreth 1000 kisha u rindërtuar në të gjithë Rusinë. Vlerat fetare u promovuan në familje dhe shoqëri. Kësaj iu bashkëngjitën edhe vlerat patriotike duke kujtuar me nderim në parada dhe marshime të rënët, ata që dhanë jetën për të mbrojtur vendin dhe familjet e tyre.

Ndryshimet përfshinë dhe mbrojtjen dhe ushtrinë e Federatës Ruse. Kjo e fundit ishte degraduar plotësisht. Simbol i këtij degradimi u bë shpërthimi i nëndetëses Kurks në gusht të vitit 2000, pak muaj pasi Putini kishte marrë drejtimin e vendit. Rreth 107 ushtarë, pjesë e ekuipazhit ndërruan jetë. Reformat endërmarra në ushtri arritën deri në atë pikë sa dhanë rezultate të tilla ku institutet prestigjoze perëndimore që merren me studimin e potencialit ushtarak të vendeve, si psh “Global Firepower”, “Buisness Insider” etj, ta rendisin Federatën Ruse me indeksin e ushtrisë së dytë më të forte në botë menjëherë mbas asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vitet e Putinit në pushtet kanë sjellë një marrëdhënie të paqëndrueshme të Rusisë me vendet perëndimore. Vitet e “muajit të mjaltit” të kohës së Jelcinit duket që janë tepër larg. Perëndimi dhe në përgjithësi elitat politike perëndimore e akuzojnë vazhdimisht Vladimir Putinin për autoritarizëm, për tendenca diktatoriale apo deri edhe për eleminimin e gazetarëve dhe kundërshtarëve të tij politik. Megjithatë këto akuza më tepër janë përdorur politikisht dhe nuk kanë dalë fakte penale nga organet e hetimit qoftë edhe për vrasjet misterioze që kanë ndodhur në perëndim dhe për të cilat është akuzuar Kremlini.Përplasje të ashpra mes Perëndimit dhe Rusisë kanë ndodhur edhe në krizën e Gjerogjisë (2008), Ukrainës (2014) dhe Sirisë (2012- deri në ditët e sotme). Analiza e këtyre ngjarjeve mund të jenë objekt i një shkrimi tjetër në të ardhmen dhe i ekspertëve të gjeopolitikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Sa i përket politikës së jashtme, Putini shprehet se Rusia ndihet e kërcënuar nga përparimi i vazhdueshëm i NATO-s në kufijtë e saj. Me daljen e ShBA-ve nga Traktati i Raketave Antibalistike (2002) dhe vendosjen e këtyre raketave në Poloni dhe Rumani apo me daljen nga një tjetër traktat si ai i Traktatit të Raketave Bërthamore me rreze të mesme veprimi (2019), Rusia e shikon sovranitetin e saj kombëtar të cënuar.

Si përfundim mund të themi se pas viteve 90′ me rënien e B.Sovjetik, Rusia u fut në një krizë politike ekonomike dhe shoqërore. Problemi më i madh ishte dilema ekzistenciale dhe udhëkryqi historik në të cilën ndodhej Rusia. Rusët nuk ishin më të aftë ti jepnin kuptim ekzistencës së tyre. Nuk mund ti përgjigjeshin pyetjeve të tipit: “Çdo të thotë të jesh rus? Ç’është Rusia? Cili është misioni ynë historik?” Ideologjia komuniste ishte një zhgënjim i madh dhe ajo nuk kishte më legjitimitet pasi ishte provuar se nuk mund të shpinte në asnjë drejtim veçse në katastrofë të përgjithshme. Ndaj dhe elitat ruse të pas viteve 90’ pranuan De facto dhe De jure çdo aspekt të ideologjisë liberale globaliste perëndimore. Në këto kushte sovraniteti kombëtar nuk kishte më asnjë rëndësi e kuptim. Rusia duhej të integrohej në çdo aspekt duke u kthyer në një kopje identike të Perëndimit. Elitat politike mediatike dhe ekonomike kishin një varësi totale ndaj perëndimit dhe një kompleks inferioriteti ndaj çdo gjëje që ishte ruse. Por për popullin rus ky kapitullim pa kushte ndaj perëndimit ishte i papranueshëm. Rusia historikisht ka qenë një qytetërim më vete dhe i veçantë nga perëndimi me karakterisitikat e saj dalluese dhe unike qoftë në aspektin fetar shoqëror e politik. Kush njeh sado pak letërsinë ruse dhe emra të tillë të mëdhenj si Pushkini, Dostojevski e Tolstoi e kupton mjaft mirë këtë çështje. Rusët janë një popull krenar me një të kaluar perandorake. Ata janë  jashtëzakonisht fanatik sa i përket ruajtjes së traditës dhe identitetit. Ata gjithmonë i kanë thurur himne mistike vendit të tyre duke shfaqur një bindje të patundur se e drejta për të ekzistuar si qytetërim i veçantë në hapësirën e Euroazisë është e shenjtë dhe e paprekshme. Ndaj dhe për rusët e viteve 90′ ky drejtim i vendit në një kurs absolutisht pro perëndimor ishte fyes për ndërgjegjen e tyre kombëtare. Këtë gjë Putini e kuptoi mjaft mirë. Ai u bë zëdhënës i kësaj fryme të përgjithshne duke tentuar të rikthej krenarin e dikurshme ruse. Putini e bazoi politikën e tij 20 vjeçare në parrullën e vjetër të Carit Nikolla I

“Ortodoksi, Autokraci dhe Nacionalizëm”. Kjo filozofi e re gjeti një mbështetje të përgjithshme brenda vendit. Alternativat e sotme politike përballë Putinit janë dy: Ose rikthim në komunizmin sovjetik ose rikthim në liberalizmin perëndimor tëfillimit të viteve 90′. Rusët i kanë refuzuar vazhdimisht të dyja duke i parë si forma mutante të krijuara në perëndimin e shekullit të 19-të, të cilat historia i provoi se janë mish i huaj për trupin rus. Pavarësisht problemeve të shumta që ka sot e kësaj dite sidomos nga trashëgimia e së kaluarës, Rusia duket se ja ka dalë deri tani të ruaj sovranitetin dhe identitetin e saj kombëtar. Jo më kot që në shek 18-të, mareshalli gjerman Mini do të thoshte: “Nuk dyshoj që Rusinë e përkrah Zoti, përndryshe nuk do të kuptohej pse ajo ekziston edhe sot.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.