Vrasja e Ardian Nikulaj dhe gabimi i ministres britanike
Çfarë ndodhi me dokumentet e ekstradimit të të dyshuarve në vrasje?
Home Office, Ministria britanike e Brendshme, ka zbuluar një gabim administrativ me pasoja të mundshme në procesin e ekstradimit të një shtetasi shqiptar dhe tre shtetasve britanikë, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin më 19 prill 2023.
Ky gabim lidhet me dokumentet që u firmosën nga ish-ministrja Yvette Cooper, disa muaj pas vendimit të Gjykatës së Ekstradimeve “City of Westminster Magistrate Court” në gusht 2024, e cila pranoi kërkesën e shtetit shqiptar për ekstradimin e Edmond Haxhias, shqiptar me pasaportë britanike, dhe tre shtetasve britanikë Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simpson.
Sipas raportimit të gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, i cili ka parë letrën e dërguar nga drejtoria e ekstradimeve në Home Office, ambasadës shqiptare në Londër, ku tregohet me detaje gabimi i zbuluar dhe rrugët e mundshme për ta korrigjuar, gabimi qëndron në përdorimin e akuzave të vjetra në dokumentet që lejojnë ekstradimin, pavarësisht ndryshimeve që janë bërë më pas në akuzat ndaj të dyshuarve.
Korrigjimi i këtij gabimi kërkohet të bëhet para nisjes së procesit të apelit në Gjykatën e Lartë “Royal Court of Justice” më 7 tetor, në mënyrë që avokatët të mos e përdorin këtë gabim për të kërkuar lirimin automatik të katër të ekstraduarve.
Në letrën e Home Office sqarohet se fillimisht Edmond Haxhia ishte akuzuar nga Prokuroria e Lezhës për “vrasje për shkak të gjakmarrjes”, ndërsa tre shtetasit britanikë për vrasje me paramendim. Por gjatë procedurës së ekstradimit, këto akuza ndryshuan pas një letre garancie nga Prokuroria e Lezhës dhe ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ku thuhej se “Edmond Haxhia nuk do të akuzohet për vrasje për shkak të gjakmarrjes”. Po ashtu, për tre britanikët ranë akuzat për përdorim armësh pa leje.
Megjithatë, dokumentet që u firmosën për ekstradim përmbanin akuzat e vjetra, që përfshinin edhe referenca për gjakmarrjen dhe përdorimin e armëve, duke krijuar kështu një gabim të rëndësishëm ligjor.
Home Office thekson se sekretari i shtetit nuk ka mekanizma ligjorë për të korrigjuar këtë gabim të përsëritur dhe se, në këtë moment, asnjëri prej të ekstraduarve nuk e ka ngritur këtë çështje si kundërshtim. Megjithatë, ekziston rreziku që avokatët ta përdorin këtë gabim për të kërkuar lirimin e tyre.
Për këtë arsye, Home Office ka propozuar që autoritetet shqiptare të lëshojnë një garanci të re për qeverinë britanike, në të cilën të konfirmohet se personat e kërkuar nuk do të përballen me akuza për gjakmarrje, siç është konfirmuar edhe në korrespondencën e datës 4 shtator 2023.
Kjo garanci do të paraqitet në Gjykatën e Lartë si pjesë e procesit të apelit, dhe Home Office ka kërkuar që ajo të dorëzohet deri më 10 shtator 2025.
Burime nga Ministria e Drejtësisë në Tiranë kanë konfirmuar për Top Channel se kjo kërkesë është përmbushur brenda afatit.
Më 7 dhe 8 tetor, në Gjykatën e Lartë “Royal Court of Justice” në Londër, do të dëgjohen palët në proces dhe më pas do të vendoset nëse do të lejohet një apel i plotë për vendimin e gushtit 2024, me të cilin u miratua ekstradimi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



