E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja e burrë e grua në Lezhë, policia zbardh motivin e atentatit
Lajme

Vrasja e burrë e grua në Lezhë, policia zbardh motivin e atentatit

Ngjarja e rëndë që tronditi Lezhën pasditen e së dielës ka marrë një drejtim më të qartë hetimor. Autoritetet kanë arritur të rindërtojnë dinamikën e atentatit ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, ndërsa pista kryesore mbetet ajo e gjakmarrjes.

Sipas deklarimeve zyrtare nga drejtuesi i Policisë së Lezhës, Arben Nasufi, hetimet paraprake kanë çuar në përfundimin se krimi lidhet me motive hakmarrjeje. Ndërkohë, tre persona janë identifikuar si të dyshuar dhe janë shpallur në kërkim, pasi nuk janë gjetur gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente.

Ngjarja ndodhi më 26 prill 2026, rreth orës 14:50, në aksin rrugor Balldren–Torovicë. Çifti po udhëtonte me automjetin e tyre kur u bë objekt i një sulmi të armatosur. Sipas hetimeve, autorët kishin ndjekur më herët lëvizjet e viktimave, duke përdorur një automjet tip “Audi A4” për vëzhgim.

Në momentin e atentatit, një mjet tjetër, i dyshuar si “Volkswagen” pa targa, i ka prerë rrugën automjetit të tyre. Më pas, nga brenda tij është hapur zjarr me breshëri plumbash, duke lënë të vdekur në vend burrin dhe gruan.

Grupi hetimor, i përbërë nga specialistë të krimeve të rënda dhe ekspertë kriminalistë, ka analizuar pamje filmike, prova materiale dhe të dhëna të tjera operative. Si rezultat, janë identifikuar tre persona të dyshuar, të gjithë banues në zonën e Lezhës, për të cilët vijon kërkimi intensiv.

Operacioni për kapjen e tyre është shtrirë në disa zona dhe përfshin edhe forcat speciale, ndërsa paralelisht po punohet për gjetjen e automjeteve të përdorura në krim dhe armëve të zjarrit.

Policia thekson se hetimet janë në vijim dhe mbeten të hapura për çdo provë apo informacion të ri që mund të çojë në dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë, duke denoncuar çdo të dhënë që mund të ndihmojë në kapjen e autorëve.

FJALA E DREJTORIT TE POLICISE LEZHE

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Drejtues Arben Nasufi, konferencë në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në fshatin Balldren, më datë 26.04.2026.

Përshëndetje,

Faleminderit për praninë tuaj sot, për të përcjellë te qytetarët, rezultatin e angazhimit maksimal të strukturave të Policisë, me qëllim zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Balldren, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, çifti i bashkëshortëve, shtetasit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.

Më datë 26.04.2026, rreth orës 14:50, në rrugën “Balldren-Torovicë”, nga shtetas të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi Kreshnik Mujeci.

Me marrjen e njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe ato të emergjencës.

Për të hetuar dhe zbardhur ngjarjen, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda të DVP Lezhë, Departamentit të Policisë Kriminale, si dhe ekspertët më të mirë kriminalistë, të cilët në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar intensivisht veprimet hetimore në vendin e ngjarjes dhe një sërë veprimesh të tjera me metoda proaktive, në funksion të zbardhjes dhe dokumentimit të plotë ligjor të saj.

Hetimet kanë vijuar me këqyrjen dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike mbi intinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, analizimin e çdo prove materiale dhe si rezultat është identifikuar njëri prej automjeteve të përdorura nga autorët, i markës “Audi A4”.

Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, analizimit të çdo prove që lidhej me ngjarjen, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i shtetasve:
-A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë.

Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volkswagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje.

Hetimet vazhdojnë në mënyre intensive, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Përsa i përket autorëve, pas identifikimit të tyre, nga ana e strukturave policore janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera, por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim.

Operacioni vijon në terren, ku janë përshirë Forcat Speciale “RENEA”, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me qëllim lokalizmin dhe kapjen e tyre.

Gjithashtu, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve dhe të armëve të zjarrit që janë përdorur për të kryer vrasjen.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë është maksimalisht e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe në këtë kuadër fton qytetarët, që të besojnë dhe të mbështesin më shumë strukturat policore, duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.