E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja e Edmond Sulës, arresohet 44-vjeçari në Bërxullë
Lajme

Vrasja e Edmond Sulës, arresohet 44-vjeçari në Bërxullë

Zbardhen detaje të reja nga hetimet për vrasjen e Edmond alias Ali Sulës, një ngjarje e rëndë që ka tronditur zonën e Bërxullës në Tiranë.

Me urdhër të Gjykatës së Tiranës, forcat e policisë kanë ushtruar një sërë kontrollesh në zonën pranë vendit ku ndodhi krimi, duke u fokusuar në persona që mund të kenë lidhje me viktimën apo konfliktet e tij të mëparshme. Në kuadër të këtyre veprimeve është kontrolluar edhe banesa e shtetasit J. Koni, i cili dyshohet se kishte përplasje me viktimën për çështje pronësie, një pistë që mbetet në qendër të hetimeve.

Gjatë operacionit, efektivët zbuluan në banesën e tij një armë zjarri pistoletë, çka çoi në arrestimin e menjëhershëm të 44-vjeçarit për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim, ndërsa po hetohet edhe për një përfshirje të mundshme në vrasjen e Sulës.

Hetuesit po punojnë intensivisht për të verifikuar alibinë e të arrestuarit, si dhe për të rindërtuar lëvizjet e tij në ditët para dhe pas krimit. Një pjesë e rëndësishme e hetimit përfshin analizimin e komunikimeve telefonike dhe të dhënave të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Edmond Sula u ekzekutua me një plumb në kokë në hyrje të banesës së tij, një mënyrë që ka ngritur dyshime të forta se autori mund të ketë qenë një person me përvojë në kryerjen e krimeve të tilla.

Autoritetet po shqyrtojnë disa pista hetimore, që nga konfliktet për prona deri te aktivitetet e mundshme të lidhura me licencat për kultivimin e kanabisit në Maqedoninë e Veriut, me synim identifikimin dhe arrestimin e autorit apo autorëve të kësaj vrasjeje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.