Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gjon Shkambi rikthehet në vendin e krimit
Gjon Shkambi, i akuzuar se ka nxitur nipin e tij të vrasë gjyqtarin që gjykonte çështjen e pronës së familjes, rikthehet në vendin e krimit. Të hënën, më 27 tetor, ai do të dalë para Gjykatës së Apelit Tiranë, ku do të kërkojë lirinë.
Aktualisht, Shkambi ndodhet në paraburgim me masën “arrest në burg”, njësoj si nipi i tij, Elvis Shkambi, i cili nuk e ka ankimuar vendimin e Shkallës së Parë.
Në seancë do të paraqitet edhe Banush Koxhaj, roja i sigurisë së Gjykatës së Apelit, i arrestuar për “shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se nuk ka kryer kontrollin e personave që hynë në sallë me armë, edhe pse skaneri kishte dhënë sinjal alarmi.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 7 tetor 2025, në sallën e Gjykatës së Apelit Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje nga Elvis Shkambi, menjëherë pas shpalljes së vendimit në një proces gjyqësor për pronat familjare të Shkambajve në Shkodër.
Sipas dosjes hetimore, gjyqtari sapo kishte dhënë vendimin, kur 30-vjeçari Elvis Shkambi nxori armën e zjarrit nga brezi dhe qëlloi disa herë drejt tij. Më pas, ai drejtoi pistoletën edhe ndaj dy qytetarëve, Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët tentuan të largoheshin nga salla, duke qëlluar në drejtimin e tyre.
Pas të shtënave, autori dorëzoi armën punonjësit të sigurisë dhe u largua në oborrin e gjykatës, ku u arrestua në flagrancë nga policia.
Gjyqtari Kalaja u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës, por ndërroi jetë gjatë rrugës. Dy të plagosurit e tjerë mbetën jashtë rrezikut për jetën pas ndihmës mjekësore.
Gjon Shkambi dyshohet të ketë nxitur nipin për kryerjen e vrasjes, pas vendimit të pafavorshëm që prekte pronën e familjes së tyre, të zënë prej më shumë se 20 vitesh nga 16 familje në Shkodër.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


