E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Jam penduar, nuk doja ta vrisja”, zbardhet dëshmia e Kristjan Sterjos
Lajme

“Jam penduar, nuk doja ta vrisja”, zbardhet dëshmia e Kristjan Sterjos

Kristjan Sterjo ka dhënë në Gjykatën e Korçës të njëjtin version për vrasjen e Johan Zukos që kishte deklaruar më herët përpara grupit hetimor.

Burime nga gjykata bëjnë me dije se 20-vjeçari ka qëndruar i qetë gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë. Në përfundim të deklarimit të tij, Sterjo mësohet të jetë shprehur se është penduar për veprimin.

Sipas versionit të tij, mes tij dhe Johan Zukos kishte pasur konflikte të mëparshme, por ai ka pretenduar se nuk kishte shkuar me qëllimin për ta vrarë.

Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për 20-vjeçarin, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes.

Sterjo akuzohet për “Vrasje me paramendim”, si dhe për “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Si e ka rrëfyer Sterjo dinamikën e ngjarjes

Në deklarimin e dhënë para autoriteteve në mbrëmjen e 8 gushtit, rreth orës 23:40, Kristjan Sterjo ka paraqitur versionin e tij për atë që ka ndodhur.

Sipas dëshmisë së tij, rreth dy javë para vrasjes kishte pasur një konflikt verbal me Johan Zukon, të cilin e kishte akuzuar se kishte ngacmuar një mikeshë të tij. Sterjo ka deklaruar se gjatë përplasjes e kishte goditur Zukon me pëllëmbë.

Ditën e ngjarjes, ai pretendon se e ka parë Zukon duke lëvizur me një automjet Mercedes-Benz C-Class. Pas shkëmbimit të disa fjalëve, automjeti është ndalur dhe Sterjo është afruar pranë tij.

20-vjeçari ka deklaruar se në atë moment Zuko ka nxjerrë një thikë dhe është përpjekur ta godasë. Sipas tij, gjatë përleshjes, një person tjetër që ndodhej në automjet e ka mbajtur, ndërsa Zuko dyshohet se ka tentuar sërish ta sulmojë me thikë.

Persona të tjerë që ndodheshin pranë tyre kanë ndërhyrë për t’i ndarë.

Pas konfliktit, Sterjo thotë se është larguar drejt banesës së tij. Sipas deklarimit, i acaruar nga përplasja, ai ka marrë një armë zjarri që e mbante të fshehur në banesë dhe e ka vendosur në një thes të bardhë.

Më pas është nisur në këmbë drejt zonës ku banonte Johan Zuko.

Kur ka mbërritur pranë një marketi, Sterjo pretendon se ka parë Zukon pranë një lokali. Sipas versionit të tij, ai është afruar me armën në drejtim të tij, ndërsa Zuko është larguar me vrap dhe është futur në një pallat.

Sterjo e ka ndjekur dhe, sipas dëshmisë së dhënë, ka qëlluar me armë në drejtim të tij, duke pretenduar se ka synuar pjesën e këmbëve.

Ai ka deklaruar se nuk ka parë nëse plumbi e ka goditur Zukon dhe se nuk është në gjendje të përcaktojë me siguri llojin e armës së përdorur.

Pas të shtënës, sipas deklarimit të tij, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe e ka fshehur armën në disa shkurre në zonën e njohur si “Fusha e Drurëve”.

Më pas është kthyer në banesë, ka ndërruar rrobat dhe veshjet që kishte përdorur gjatë ngjarjes i ka futur në lavatriçe. Sipas tij, më vonë është larguar nga banesa dhe ka qëndruar në një shtëpi të pabanuar pranë banesës së tij.

Arrestimi dhe provat e sekuestruara

Kristjan Sterjo u arrestua në flagrancë rreth orës 00:30 të 9 gushtit, si i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 78 dhe 278 të Kodit Penal.

Gjatë kontrollit personal, policia i sekuestroi një telefon Xiaomi dhe një karikues. Në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë gjithashtu tamponë nga të dyja duart e 20-vjeçarit, me qëllim ekzaminimin për gjurmë të mbetjeve të qitjes.

Në cilësinë e provave materiale janë administruar edhe veshjet që dyshohet se Sterjo kishte veshur në momentin e ngjarjes. Ato janë gjetur në banesë, ndërsa grupi hetimor ka sekuestruar dhe kontrolluar edhe një telefon tjetër të markës Redmi.

Hetuesit po vijojnë verifikimin e provave dhe dëshmive për të përcaktuar me saktësi dinamikën e vrasjes së Johan Zukos, ndërsa versioni i dhënë nga Sterjo mbetet pjesë e hetimit dhe do të ballafaqohet me provat e administruara nga autoritetet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.