I gjendet pistoletë me silenciator
Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 48-vjeçarit Lulzim Visha në Kamëz. Në lidhje me kontrollet dhe gjetjen e armës se zjarrit me silenciator, dje pas vrasjes se Lulzim Vishës burime thanë se është gjetur në një nga banesat e Ervis Lamit.
Ervis Lami, njihet për arratisjen nga burgu i Drenovës. Lami nuk ka qenë në shtëpi në momentin e kontrolleve, por dera është hapur nga një familjar i tij.
Sipas burimeve, ai ka dy shtëpi, njëra prej të cilave ishte shtëpi druri, brenda të cilës efektivët kanë parë vrima në mure të shkaktuara me armë zjarri. Dyshohet se këto vrima mund të jenë bërë për të provuar armë të ndryshme. Pasi të gjendet nga policia, Lami pritet të merret në pyetje për vrasjen e 48-vjeçarit si person që mund të ketë dijeni.
Gjithashtu bëhet me dije se një person është shoqëruar në polici për vrasjen e Lulzim Vishës. Ai është djali i xhaxhait të Ervis Lamit, i identifikuar si Eduart Lami. Dyshohet se viktima dhe i arrestuari kanë patur konflikte më herët për pronat.
Ervis Lami, ka qenë bashkëpunëtor në arratisjen së 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës më 23 nëntorit 2013, në mesin e të cilëve edhe Admir Tafili. Në atë kohë, Ervis Lami pati deklaruar se plani për arratisje është bërë nga ai dhe Admir Tafili, madje edhe armët në burg i kishte futur vetë ai, duke marrë përsipër të gjithë skemën.
Vrasja e Lulzim Vishës
48-vjeçari Lulzim Visha, postier në një kompani private, u vra me silenciator në Kamëz sapo doli nga banesa dhe hipi në makinën e punës.
Lulzim Visha, dyshohet të jetë ekzekutuar për hasmëri, pasi vëllai i tij në ‘97-ën, kishte vrarë një polic. Policia gjeti të djegur automjetin e autorëve, një Porsche të zi me targa të vjedhura në Kamëz në 2023, bashkë me armën e shkrumbuar.