Vrasje në Kavajë, 76-vjeçari godet me thikë të vëllanë
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në fshatin Agonas të Kavajës, ku një konflikt mes dy vëllezërve ka përfunduar tragjikisht me humbjen e jetës së njërit prej tyre.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 20:30, dy vëllezërit, të moshave 76 dhe 74 vjeç, ndodheshin në një arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë, kur konflikti mes tyre ka degjeneruar. Dyshohet se 76-vjeçari ka goditur me thikë vëllain e tij më të vogël.
I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore, por për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë gjatë rrugës.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar, i cili është shoqëruar në ambientet e komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe dokumentimin e saj ligjor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



